Mbyllja e zyres tatimore ilegale në veri, Sveçla: Kanë mbledhur para nga qytetarët, haraçi po zhvillohej nga grupe kriminale të Serbisë

Policia e Kosovës mëngjesin e së mërkurës, pas një bastisje të bërë në një ndërtesë në veri, ka mbyllur një zyre tatimore që funksiononte ilegalisht, si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë. Lidhur me këtë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se aktiviteti i kësaj zyre do të hetohet nga të gjithë mekanizmat institucional, dhe se do të vazhdohet të luftohet çdo paralelizëm kriminal i Serbisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ministri Sveçla ka shkruar se ky institucion ka mbledhur mjete financiare nga qytetarët që jetojnë në Kosovë, e që siç thotë ai haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar.

“Mbyllet edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicën Veriore. Aktiviteti ilegal i Agjencionit Tatimor të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucional ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona. Ky insitucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë”, shkroi ai në Facebook.

Ministri thotë se haraçi në këtë zyre po zhvillohej nga grupe kriminale të Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin.

Bastisjen, e më pas mbylljen e kësaj zyre tatimore e konfirmoi sot për Gazetën Online Reporteri.net, zëvendëdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai tha se janë gjetur prova që vërtetojnë dyshimet e tyre për operim ilegal të kësaj zyre dhe se e kanë mbyllur.

“Rreth orës 09:00 kemi hy në këtë ndërtesë e cila sipas informacioneve tona ka funksioni si zyrë tatimore (si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë). Në këtë vend kemi hasë në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me Prokuror, njerëzit që janë hasë aty janë largu nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllë deri në verifikim të plotë të fakteve”, tha Elshani për Reporteri.net.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi