Më 17 dhjetor në Bruksel do të mbahet Samiti BE-Ballkan Perëndimor ku do të ketë takime pune të fokusuara lidhur me bashkëpunimin politik dhe ekonomik në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu do të diskutohet edhe për implementimin e Planit të Rritjes dhe integrimin gradual të dy rajoneve. Republika e Kosovës do të përfaqësohet nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Takimet do të nisin në orën 17:30 pasdite, ndërsa pas një konference për media që do të mbahet në orën 19:30, do të ketë edhe një darkë pune e liderëve që pritet të nis në orën 20:30.
“Takimi do të nisë në orën 17:30 me një sesion pune të fokusuar në bashkëpunimin politik dhe ekonomik BE-Ballkani Perëndimor, zbatimin e Planit të Rritjes dhe integrimin gradual të dy rajoneve. Pas konferencës për shtyp në orën 19:30, do të vijojë një darkë pune rreth orës 20:30, ku liderët do të diskutojnë kontekstin gjeopolitik dhe sfidat që prekin të dy rajonet”, ka thënë për Gazetën Express një zyrtar i Bashkimit Evropian.
Republika e Kosovës do të përfaqësohet nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Presidenti Costa ka ftuar liderët nga BE dhe Ballkani Perëndimor. Nga ana e Kosovës, presidentja Osmani do t’i bashkohet samitit”, ka thënë ky zyrtar i BE-së
Pas këtij Samiti, në Bruksel më 18 dhjetor do të mbahet edhe mbledhja e Këshillit Evropian. Gazeta Express është interesuar nëse ndonjë prej shteteve anëtare ka kërkuar që të në agjendë të takimit të vendoset edhe çështja e heqjes së masave. Nga Brukseli kanë sqaruar se vendimi për heqjen e masave kthyese për Kosovën merret në nivel të Këshillit, dhe jo në takimin e Këshillit Evropian.
Ky zyrtar i BE-së ka thënë për Gazetën Express se diskutimet në kuadër të Shteteve Anëtare për çështjen e masave janë duke vazhduar dhe se kjo çështje s’do të jetë në agjendën e takimit të Këshillit Evropian.
“Vendimi për heqjen e masave të përkohshme ndaj Kosovës merret në nivel të Këshillit, jo në mbledhjen e Këshillit Evropian. Diskutimet midis shteteve anëtare për këtë çështje janë në vazhdim dhe pika nuk do të jetë në axhendën e EUCO javën e ardhshme”, ka përfunduar ky zyrtar i BE-së