Më 2 maj dorëzohet drafti i statutit të Asociacionit, skicohet nga “ekipi enigmatik”

Brukseli sërish do të jetë vendtakimi i liderëve të Kosovës e Serbisë më 2 maj. Pas marrëveshjes dhe dakordimit për aneksin e saj, ndërmjetësit tashmë presin hapa konkretë nga palët në vënien në zbatim të pikave të marrëveshjes. Detyra e Kosovës në këtë takim është të shkojë me propozim për statutin e Asociacionit.

Emisari special i SHBA’së, Gabriel Escobar, tha se presin që në këtë takim propozime iniciale për formimin e Asociacionit.

“Ne presim propozime fillestare për formimin e Asociacionit, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, ka thënë emisari amerikan për mediumin serb “Tanjug”.

Derisa për Zërin e Amerikës, Escobar tha se “shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”.

Më 2 maj në tavolinën negociuese do të dorëzohet një draft për statutin e Asociacionit nga Kosova, por deri tash nuk dihet asgjë për të dhe as për ekipin që do të bëjë prezantimin.

Përbërja e Ekipit Menaxhues nuk është bërë publike deri më tani, përveçse dihet që në krye të tij është një deputete e Kuvendit të Serbisë. Ky ekip, anëtarët e të cilit janë ndërruar ndër vite, pati bërë njëherë një propozim, por që i ishte hedhur poshtë.

Në rast se edhe kësaj here ndodh e njëjta, shkarkimin e tij e ka paralajmëruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Si është e rregulluar kjo punë nga e kaluara është se ekziston një Ekip i Menaxhimit, i cili ka pasë obligim për të ofruar një version të Asociacionit. Një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofrojë tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionojë, duke e parë përbërjen e këtij menaxhmenti, i cili përbëhet edhe nga deputetë të Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën. Unë mendoj nëse ky menaxhmet ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, unë mendoj që me e udhës për Kosovë është që të shkarkohet ky menaxhment”, ka thënë Konjufca sot.

Kreu i Kuvendit pati një koment edhe mbi deklaratën e emisarit amerikan që kërkoi nga Kosova propozim konkret për Asociacionin. Sipas Konjufcës, marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi është ndërtuar mbi dy binarë.

“Binari i parë është njohja de facto nga ana e Serbisë, ndërsa binari i dytë është Asociacioni, të cilin Kosova – qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme – në vitin 2013 e ka pranuar. Kosova duhet të tregojë që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet me bë asnjë pa u realizuar binari i parë, që është njoha de facto”.

Escobar në deklarimin e tij për Zërin e Amerikës tha se pranimi i Asociacionit ishte e vështirë për Qeverinë e partinë e Kurtit, por se tashmë ai është pranuar.

“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, tha Escobar.

 

Kategoritë
LajmeVendi