Më në fund, fëmijet e lindur me probleme në zemër, gjejnë shërimin në Kosovë

Dhjetë fëmijë me probleme të lindura të zemër, iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjike, gjatë kësaj jave në QKUK.  E për intervenime të tilla, në Kosovë, ka ardhur një ekip i mjekëve nga organizata “Gift of Life International”, me seli në New York, të cilët në bashkëpunim me stafin vendor, i kanë realizuar këto ndërhyrje, të cilat ende nuk bëhen në Kosovë.

Nuk mungonin lotët e prindërve, të cilët në ankth prisnin te salla e operimit, aty ku profesionistëve shëndetësorë, ua besuan jetën e më të dashurve të tyre.

Ramush Bejiqi, pediatër kardiolog në QKUK, i cili ishte dhe mbikqyrës i ekipit intervenues,  tha se për një javë janë realizuar ndërhyrjet në zemër  të hapur, tek dhjetë fëmijë me probleme të lindura të zemrës.

“Jemi duke i trajtuar fëmijët me sëmundje të lindura të zemrës, në mënyrë operative. Kemi në plan t’i bëjmë dhjetë fëmije me operacion të hapur. Sot është fëmija i nëntë. Të gjithë kanë kaluar me sukses dhe jemi të stërkënaqur me program. Përndryshe marrin pjesë mjekët nga Organziata Humanitare “Gift of Life International “, me seli në New York dhe kjo është një degë për Kosovën dhe stafi vendor, i cili bënë pjesën poziten kyçe të misionit”, ka thënë ai.

Bejiqi thotë se të gjitha intervenimet kanë kaluar me sukses dhe se vetëm tek dy fëmijë ka pasur komplikime.

“Të gjithë kanë kaluar me sukses. Normal mundësitë e komplikimeve ekzistojnë. Tek dy fëmijë kemi pasur komplikime, por me sukses janë tejkaluar. Për momentin nuk kemi asnjë vërejtje në shëndetin dhe ecurinë e problematikës”, thotë ai.

Ndërsa thotë se intervenimet e tilla ende nuk bëhen në Kosovë, pasi që për këtë duhen investime dhe trajnim të stafit.

“Për momentin ende jo, na nevojiten dhe disa pajisje dhe disa trajnime për stafin tonë. Po punojmë nën atë drejtim. Besoj që shumë shpejtë,  gjashtë muaj apo një vit, do të kompletohemi dhe në aspektin e operimeve në zemër të hapur dhe  në aspektin e trajtimit kardiokirurgjik. Mjekët janë duke bërë trajnime për intervenime. Na duhet dhe trajnimi i stafit të mesëm, që është shumë i rëndësishëm, posaqërisht njësia intenzive, mjekët në njësinë intenzive. Të gjithë jemi duke e bërë një porgram projekt që brenda vitit 2024 këto probleme t’i zgjidhim dhe të fillojmë me intervenime në Kosovë”, thotë Bejiqi./Indeksonline/

Kategoritë
BotaLajme