Me një ëndërr te varr’i shehidit
Një ëndërr më çoi te varr’i një shehidi
Një nur më mbështolli i këndshëm për sy
Më bëhej se në qiell po ecja pa frikë
Në shpirt qenë bërë bashkë vuajtje dhe kënaqësi.
Më dha selam dhe kish një të qeshur në fytyrë
Me vete po thosha këtë njeri unë s’e kam parë
Një ashk si zjarr më shtynte drejt tij
Në gjoks po i shkëlqente një shigjetë me gjakun të pa larë.
M’u bë se nga plagët po i dilnin shumë kroje
Si të ujit të kulluar të lumit Eufrat
Njëqind e një nishane veç po i bënin dritë
Si yjet me ngjyra që lirshëm ecin nëpër natë.
Me rrobat e betejës i kishin vënë në varr
Veç me kadife i kishin shtruar një shtrat
Desha t’i afrohesh dhe ta merrja ngrykë
Një dridhje më kaploi fort keq, s’bëra një hap.
E pashë një dhëndër që la nusen e re
Në ndarje përmallshëm i ndërruan dy fjalë
Dushmani mua s’dua të më vrasë pas shpine – i tha
Një yll shumë i madh po i rrinte në ballë
Më humbi shumë shpejt dhe më s’e pashë kurrë
M’u shtir një hyri në syrin si filxhan
Një zë pa njeri më fliste dhe s’ndalej
Ky shehid e deshi ahiretin dhe la dynjanë.
Para më doli një pemë sa një bjeshkë e madhe
Me një trung të trashë dhe i tëri prej ari
Njëqind vjet kalorësi po ecte nën hije të saj
Aty ku ishte i mbrami më s’dukej i pari.
Do të shohë edhe të tjera pemë, hurmë e shegë
Sa fruta të shijshme sa gjethe të mëdha
Një zë i ëmbël më fliste me një melodi të lehtë
Këtu Muhamed Mustafai hazreti Xhibrilin e pa.
Një det që s’kish skaj më doli si një pasqyrë
Nga ai shumë lumenj ishin të ndarë açik
Po flisja me vete aman o I Madhi Allah
Të mirave të TUA kush mund t’u vë pikë.
Ç’më mbuloi sytë Bedri me një fushë gjaku
Po i shihja shehidët me gjasë ishin katërmbëdhjetë
Meleqtë shumë të gëzuar po i pritnin me selame
Për ju Zoti bëri këtë vend në Xhenet.
Shehidët e Uhudit i pashë të gjithë bashkë
Po syri shumë po më kënaqej kur pashë një zotëri
Mos është ky Hamzai i Abdulmutalibit – pyeta
Më i larti ndër të tjerë është veç froni i tij.
Një ushtimë shurdhuese më trishtoi shumë
Një yll po binte nga qielli dhe rrufeshëm ra
Eufrati ujët e kishte shumë të turbullt
Përzjeu lotë dhe gjak mu në Qerbela.
M’u shtirën shehidë dhe ishin në vend të lartë
Më dukej se diç kishin të shkruar në ballë
Këta në rrugën e të Madhit Zot dhanë jetën
E karshi shpatave të hasmit ishin në rresht të parë
Me këto mrekulli po më pushonte shpirti
Një zë shume prekës po thoshte, o Allah
Të japim shpirtin veç për Madhërin Tënde
Po të lutemi edhe një herë na kthe në dynja.
Me shehidë po rrija, një kënaqësi e rallë
Po bënte udhë ëndrra në këtë natë të vonë
Një fushë me gjelbërim, lumenj gjaku e lot trimërie
S’është dikush tjetër, veç KOSOVA JONË.
Ëndrra këputi dhe më la veç kënaqësinë
Çela sytë dhe tashë falënderim për Ty veç o Perëndi
Kush dha shpirt në rrugen Tënde shumë të drejtë
Është gjallë dhe jeton në pavdekësi.
Ali Vezaj