Më shumë se 1 muaj nga mbyllja e konkursit, emërimi i drejtorit të ri të policisë ende në faza fillestare

Që nga 30 gushti i këtij viti, Policia e Kosovës vazhdon të drejtohet nga ushtrues detyre.

Pikërisht me këtë datë, Samedin Mehmeti dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Njoftimi për dorëheqjen e Mehmetit, ishte bërë nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga z. Samedin Mehmeti drejtor i Policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Por përpos kësaj, në njoftim ishte theksuar se dorëheqja e Mehmetit vie për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares nga pesë persona të dyshimtë në Prishtinë.

E për të drejtuar Policinë e Kosovës, po synojnë pesë kandidatë.

Në një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës për lajmi.net, është theksuar se konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është mbyllur më 21 shtator 2022.

“Konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është mbyllur me datë 21.09.2022. Në këtë konkurs kanë aplikuar pesë (5) kandidatë”, u tha në përgjigje.

Por sipas MPB-së momentalisht procesi është në fazën e themelimit të Komisionit, që do të kujdeset për mbarëvajtjen e këtij procesi.

“Momentalisht procesi është në fazën e themelimit të komisionit i cili do të kujdeset për mbarëvajtjen e këtij procesi”.

Kësisoj, pavarësisht se kanë kaluar disa javë që nga mbyllja e afatit për konkurs, ende nuk janë realizuar intervistimet për kandidatë.

Në konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës janë pesë kandidatë, në mesin e tyre edhe një kandidate nga komunitete jo shumicë në Kosovë.

Bëhet fjalë për Sllagjana Stojanoviq, e njohur si shefe e administratës në rajonin e Mitrovicës.

Përpos Stojanoviq, këtë post e synon edhe Gazmend Hoxha-Drejtor i Departamentit të Operacioneve, Bahri Shala-Drejtor aktual i Teknikës Kriminalistike, Fatos Haziri-ish udhëheqës i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar si dhe Granit Fetahu-Drejtor për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve.

Ndryshe në bazë të Nenit 37 për Policinë e Kosovës, theksohet se kandidatët për pozitat e Drejtorit të Policisë së Kosovës përzgjidhen dhe propozohen nga Komisioni, i cili themelohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ligjërisht, drejtori emërohet për një periudhë kohore prej pesë vjetësh, në mundësi vazhdimi për çdo pesë vjet nga autoriteti që e ka emëruar.

“Komisioni i propozon ministrit kandidatët për emërim në pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë,ministri në njërën nga mbledhjet e Qeverisë i propozon kandidatin Qeverisë për këtë pozitë, ndërkaq Qeveria i rekomandon kryeministrit kandidatin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e emëron Kryeministri”.

Ndryshe në kuadër të Policisë së Kosovës ndër vite ka patur emra të shumtë që e kanë drejtuar atë.

Disa prej tyre janë dorëhequr, e disa të tjerë janë shkarkuar. Kësisoj ndryshimet e njëpasnjëshme në Policinë e Kosovës, lënë në pikëpyetje se kush do ta drejtojë atë këtë herë.

Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, dhe ndër më të besueshme nga qytetarët sa i përket sigurisë.

Para Samedin Mehmetit, në krye të Policisë së Kosovës ishte Rashit Qalaj, i cili më pas ndërroi krejtësisht profesion duke kaluar kështu në angazhim politik.

Samedin Mehmeti ishte emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 13 janar 2021. Mehmeti kishte qenë ushtrues i detyrës së drejtorit të Policisë, pas shkarkimit të Qalajt.

Mehmeti u emërua Drejtor i Policisë së Kosovës gjatë kohës sa vendi po drejtohej nga kryeministri Avdullah Hoti, e ministër i Punëve të Brendshme ishte Ekrem Mustafa.

Mehmeti kishte nisur punën fillimisht si polic patrullues në stacionin policor “Veriu”, më pas si hetues i vrasjeve në regjionin e Prishtinës.

Në nivelin e menaxhimit operacional, me gradën Toger ka shërbyer në pozitën e zëvendëskomandantit në stacionin policor “Jugu” dhe me gradën Kapiten ka shërbyer Komandant i stacionit policor “Veriu” në Prishtinë.

Derisa Qeveria e Kosovës të bëjë emërimin e ri të Drejtorit të Përgjithshëm të Policës së Kosovës, ky institucion vazhdon të drejtohet nga u.d Fehmi Hoti.

Kategoritë
LajmeVendi