Më shumë se 60 balena kanë humbur jetën në lumin Arthur, ndërsa shumë të tjera po luftojnë për mbijetesë.
Departamenti i Burimeve Natyrore dhe Mjedisit i Tasmanisë njoftoi se një grup prej 157 balenash u bllokua në një plazh të largët pranë lumit Arthur, në veriperëndim të ishullit.
Aktualisht, rreth 90 balena janë ende gjallë, por ekspertët po vlerësojnë nëse është e mundur që ato të rikthehen në det.
VAZHDOJNË PËRPJEKJET PËR SHPËTIMIN E BALENAVE
Ekspertët dhe veterinerët në zonë po punojnë pa ndërprerje për të shpëtuar balenat.
Tasmania ka qenë dëshmitare e incidenteve të ngjashme gjatë viteve të fundit, ndërsa rasti më i rëndë ndodhi në vitin 2020, i cilësuar si tragjedia më e madhe në historinë e Australisë për bllokimin e balenave në breg.
Megjithatë, ky është incidenti i parë në 50 vitet e fundit që përfshin llojin e balenave “false killer whale” (balena vrasëse e rreme).
Ky lloj balene është teknikisht një nga llojet më të mëdha të delfinëve në botë. Me ngjashmëri me balenat Orca, ato mund të arrijnë deri në 6 metra gjatësi dhe të peshojnë deri në 1.5 tonë.
“Rikthimi i balenave në det do të jetë shumë i vështirë”
Për shkak të kushteve të vështira të terrenit dhe të oqeanit, ekipet e shpëtimit përballen me sfida të mëdha për t’i rikthyer balenat në ujëra të thella.
Edhe pse në bregun perëndimor të Tasmanisë janë shënuar disa raste të suksesshme shpëtimi, kompleksiteti i kësaj ngjarjeje bën që metodat e zakonshme të mos jenë të vlefshme në këtë rast.
Zëdhënësi i Departamentit, Brendon Clarke, theksoi: “Vlerësimet fillestare tregojnë se rikthimi i balenave në det do të jetë shumë i vështirë për shkak të qasjes së kufizuar në zonë, kushteve të rrezikshme të oqeanit dhe sfidave logjistike për transportimin e pajisjeve të nevojshme.”
Ekipet e shpëtimit po fokusohen tek balenat që kanë më shumë gjasa për të mbijetuar, duke i mbajtur ato të hidratuara dhe sa më të qeta. Siguria e pjesëtarëve të ekipit është gjithashtu një prioritet kryesor.
Clarke paralajmëroi se “balenat e mëdha dhe lëvizjet e tyre të pakontrolluara gjatë agonisë mund të përbëjnë një rrezik serioz për ekipin e shpëtimit.”
MUND TË KENË SHKUAR DREJT BREGUT DUKE KËRKUAR USHQIM
Arsyeja pse balenat “false killer whale” bllokohen në grupe të mëdha në breg ende nuk është plotësisht e qartë, por ekspertët besojnë se ato mund të kenë ndjekur burimet e ushqimit pranë bregut ose një individ i vetëm mund të ketë drejtuar gabimisht gjithë grupin drejt tokës.
Tasmania njihet si një prej zonave me numrin më të lartë të rasteve të bllokimit të balenave në Australi.
Në vitin 2020, rreth 470 balena pilote u bllokuan në portin Macquarie, ku 350 prej tyre humbën jetën.
Në vitin 2022, po në të njëjtin port, edhe 200 balena të tjera përfunduan në breg, duke shkaktuar një tjetër tragjedi ekologjike.