“Më vjen keq, kërkoj ndjesë”, reagon pronari i azilit në Pejë ku u dhunua e moshuara

“Kërkojmë ndjesë për pamjet e rënda që na kanë goditur secilin! Unë Anton Rasaj sot si aksionari më i madh në shoqërinë Orenda në Pejë kam rastisur të jem këtu me familje. Me urgjencë kam marr veprimet personalisht. Nuk kam fjale ta përshkruaj se si jam ndjere kur e kam parë sjelljen e infermiereve”, kështu është shprehur pronari i azilit në Pejë, ku e moshuara u dhunua nga punonjësja e qendrës, Aurona Pelaj.

Pronari bën me dije se ka larguar nga puna personelin në fjalë dhe se i vjen shumë keq nga ajo që ka ndodhur. Ai tha se përgjegjësit do të ndiqen penalisht lidhur me këtë ngjarje.

Mbarë opinioni publik në Kosovë dhe Shqipëri është tronditur nga dhuna që punonjësja Aurona Pelaj ka ushtruar ndaj të moshuarës në një azil në Pejë, Kosovë.

Punonjësja shihet duke goditur me shpulla dhe këmbë në bark të moshuarën ndërsa vajzat e tjera e filmojnë dhe qeshin.

E moshuara është nëna e dëshmorit Taulant Nura. Sakaq mediet në Kosovë raportojnë se e moshuar ndodhet ende në azil, dhe se të afërmit e saj janë në pritje të një dokumenti për ta nxjerre atë nga azili i të moshuarve.

Video është xhiruar nga një anëtarë tjetër e stafit, teksa në video dëgjohen edhe të qeshura. Policia ka konfirmuar se dy punonjëse të shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar, përfshirë edhe kujdestaren, Aurona Pelaj, që shihet duke e goditur me shuplakë në fytyrë dhe në kokë të moshuarën, e cila është e pafuqishme të reagojë.

Autorja është nga fshati Novosellë e Pejës dhe ka disa muaj që punon në këtë qendër. Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se ka angazhuar dy prokurorë për ta hetuar rastin.

“Dy prokurorët e shteti dhe Policia e Kosovës kanë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëpunim kanë kryer veprën penale ‘Sulm’ dhe veprën penale ‘ndihma për kryerjen e veprës penale të sulmit” thuhet në njoftimin zyrtar.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe ministri i brendshëm, Xhelal Zveçla, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit të çohen para drejtësisë.

Shkrimi i plotë:
Të nderuar,

Ju kërkojmë ndjesë për pamjet e rënda që na kanë goditur secilin! unë Anton Rasaj sot si aksionari me i madh ne shoqerinë Orenda në Pejë kam rastisur të jem këtu me familje. Me urgjencë kam marr veprimet personalisht!

Unë jam investitor, kursimet e fituara jashtë vendit me familje vendosem ti investojmë në vendlindje. kemi punesuar personel dhe jemi kujdesur që të krijojmë vende pune për bashkëatdhetar tonë dhe të kujdesemi që të ketë maksimalisht sjellje profesionale nga personeli në qendrën tonë, por ja që situata në fjalë na ka lanë pa fjalë dhe plotë mllef!
Na janë besuar prindër të familjarëve, për çka ngjarja sot na ka lënduar shumë sa nuk gjejmë fjalë të shprehim këtë indinnatë.

Nuk kam fjale ta pershkruaj se si jam ndjere kur e kam parë sjelljen e infermiereve.
Ju njoftoj se pa asnjë hamendje, menjëherë i kam larguar nga puna personelin në fjalë, kam kërkuar që me shpejtësi të veprohet, e për dëmin e shkaktuar nga ato do ti ndejkim përgjegjesit në procedura tjera ligjore po ashtu.

I ftoj organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre me efikasitet dhe që të njejtat të marrin denimin e merituar!
I sigurojmë familjet dhe gjithë Ju se do të ndërmarim çdo veprim të nevojshëm!
E përsëris, më vjen shumë keq, e di që ky njoftim nuk ju heq dhimbjen secilit nga Ju, posaqerisht familjes së zonjës së rrespektuar, por Ju premtoj se do tē bëj gjithcka që është në mundësinë tonë!

Kategoritë
LajmeVendi