Vendimi thuhet se është marrë gjatë një takimi me drejtuesit e lartë të ushtrisë dhe zyrtarë të tjerë të mbrojtjes
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka miratuar vazhdimin e sulmeve në Liban, pavarësisht raportimeve për një armëpushim të afërt me Hezbollahun, tha media izraelite, transmeton Anadolu.
“Ne do të vazhdojmë sulmet në Liban deri në momentin e fundit përpara një armëpushimi”, tha transmetuesi publik izraelit KAN, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar.
Vendimi thuhet se është marrë gjatë një takimi me drejtuesit e lartë të ushtrisë dhe zyrtarë të tjerë të mbrojtjes.
Vendimi erdhi pasi Kabineti i Sigurisë i Izraelit u mblodh sot në mbrëmje për të votuar mbi një propozim të mbështetur nga SHBA-ja për armëpushim me Libanin.
Mediat izraelite raportuan herët të hënën se një marrëveshje armëpushimi pritet të shpallet midis Izraelit dhe Hezbollahut brenda dy ditësh.
Parlamentari libanez Qassem Hashem tha gjithashtu të hënën se një marrëveshje armëpushimi midis Hezbollahut dhe Izraelit është afër përfundimit dhe mund të shpallet brenda 36 orëve të ardhshme nëse negociatat shkojnë pa probleme.
“Atmosfera është pozitive dhe diskutimet për armëpushimin kanë arritur në një fazë të avancuar. Është vetëm një çështje orësh përpara se një marrëveshje të finalizohet dhe të shpallet nëse progresi vazhdon siç pritej”, tha Hashem për Anadolu.
Izraeli ka përshkallëzuar sulmet e tij ajrore në Liban kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, si pjesë e luftës njëvjeçare kundër grupit libanez që nga fillimi i sulmeve në Gaza vitin e kaluar.
Më shumë se 3.760 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban, me afro 15.700 të plagosur dhe mbi një milion të zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.
Izraeli më 1 tetor të këtij viti e zgjeroi konfliktin duke nisur një ofensivë tokësore në Libanin jugor.