Mbrëmë (e diel) u zhvillua derbi mes Manchester Cityt dhe Arsenalit dy ekipet pretendente kryesore për titull në Ligën Premier, ndeshje kjo që përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.
Për vendasit golat i shënuan Erling Haaland dhe John Stones ndërsa për mysafirët realizuan Riccardo Calafiori dhe Gabriel Magalhaes.
Sidoqoftë, përveç barazimit lajm më i keq për Pep Guardiolën ishte lëndimi që pësoi Rodri i cili në pamje të parë u duk serioz dhe tashmë del të jetë ashtu sipas konfirmimit nga gazeta spanjolle Marca.
Marca ka bërë me dije se sipas ekzaminimeve të para që janë bërë në Mançester bëhet fjalë për një këputje të ligamentit ACL në gjurin e tij të djathtë, ndonëse diagnoza përfundimtare do të bëhet e ditur kur lojtari të kalojë testet përfundimtare në Spanjë.Aktualisht Rodri është duke udhëtuar drejt Madridit për t’iu nënshtruar një ekzaminimi të ri i cili do të konfirmonte lëndimin e rëndë.
Ylli spanjoll gjithashtu po planifikon që të vizitojë disa specialistë për të marrë një vendim në lidhje nëse duhet t’i nënshtrohet operacionit apo jo.Në rast se konfirmohet këputja e ligamentit, atëherë me shumë mundësi Rodri do t’i thoshte lamtumirë pjesës së mbetur të sezonit.
Ai u lëndua në minutën e 16-të të kësaj sfide pas një përplasje me mesfushorin Thomas Partey duke rënë menjëherë në tokë dhe me dhimbje që vëreheshin nga mimikat e tij të fytyrës.Ky lëndim padyshim se do t’i shkaktojë telashe të mëdha jo vetëm Guardiolës, por edhe Spanjës të cilët e konsiderojnë atë kapiten pa shirit në fushë dhe në dhomat e zhveshjes.