Mediat gjermane publikuan detajet e arrestimit të Mirnese S.: Ajo mbërriti në Shtutgart nga Mali i Zi

Mirnesa S. (42), e dyshuar se ka mashtruar një milion euro një kompani gjermane, ka mbërritur nga Mali i Zi në aeroportin e Shtutgartit, ku është arrestuar dje, shkruan RTL gjermane.

Avokati i saj paraprakisht njoftoi se Mirnesa do të dorëzohej, si dhe orën e saktë të mbërritjes së saj në aeroport. Ende nuk dihet se ku i ka fshehur paratë.

“Ajo donte të dorëzohej, kështu që avokati i saj kontaktoi policinë dhe i tha kur do të vinte në Shtutgart”, tha policia gjermane.

Sipas raportimeve të mediave lokale, Mirnesa ishte e qetë gjatë arrestimit të saj dhe oficerët e policisë konfirmuan se ajo fshihej në Mal të Zi.

Në tetor ajo vodhi një milion euro teksa punonte për një kompani që ndër të tjera kryente operacione transporti parash në Shtutgart. Ajo i futi paratë në një qese të zezë dhe u zhduk.

Policia ka ofruar një shpërblim prej 37 mijë e 500 euro për informacion mbi vendndodhjen e gruas që ka vjedhur një shumë të madhe parash. Për momentin nuk dihet se si policia e ka lokalizuar Mirnesën dhe nëse në këtë i ka ndihmuar ndonjë nga qytetarët apo personat e afërt të grabitësit.

Kategoritë
BotaLajme