Mediat italiane zbulojnë shkakun e mundshëm të vdekjes së Papës Françesku: Nuk ka vdekur për shkak të problemeve me mushkëritë

Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio, ka ndërruar jetë sot pas disa javësh përballjeje me një sëmundje. Shkaku i mundshëm i vdekjes së Papës është zbuluar nga mediat italiane.

Sipas gazetave italiane La Repubblica dhe La Stampa, Papa Françesku ka ndërruar jetë si pasojë e një “gjakderdhjeje në tru”, ndoshta një goditje në tru, dhe jo për shkak të problemeve respiratore apo pneumonisë nga e cila vuante në muajin shkurt. Mjekët e tij kanë thënë, sipas raporteve, se “ai vdiq në paqe”.

Papa ndërroi jetë të hënën e Pashkëve në moshën 88-vjeçare, pasi, siç njoftoi Vatikani, “i kishte kushtuar tërë jetën shërbimit ndaj Zotit dhe Kishës”.

Trupi i Papës Françesku do të vendoset për homazhe në Bazilikën e Shën Pjetrit gjatë periudhës zyrtare të zisë, dhe më pas, ndryshe nga shumica e paraardhësve të tij, do të varroset në Bazilikën Santa Maria Maggiore në lagjen Esquilino të Romës.

Kërkoi thjeshtësi
Dëshira e fundit e Papës ishte thyerja e një tradite shekullore: nuk do të varroset në Vatikan
Në veprimin e tij të fundit të përkushtimit, Papa Françesku në ditën e Pashkës, vetëm një ditë para vdekjes, përshëndeti mijëra besimtarë të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit – një paraqitje që u bë ndër të fundit publike të tij.

Në mënyrë befasuese, Papa nuk mbante kanulën e hundës për oksigjen teksa udhëtonte nëpër turmën prej 35 mijë vetash, edhe pse e kishte përdorur atë në paraqitjet e mëhershme publike pas daljes nga spitali në fund të marsit.

Për afro 50 minuta, automjeti i Papës lëvizte ngadalë përmes turmës, por mediat italiane tani spekulojnë se mjekët ndoshta i kishin këshilluar të shmangte kontaktin e drejtpërdrejtë me njerëzit, pasi mund të ketë pasur imunitet të dobësuar pas përballjes me pneumoninë.

Më herët atë ditë, Papa u shfaq në ballkonin e Vatikanit dhe i përshëndeti të pranishmit me fjalët: “Vëllezër dhe motra, Gëzuar Pashkën”, pas së cilës një ndihmës lexoi pjesën tjetër të bekimit të tij vjetor Urbi et Orbi dhe fjalimin ku ai bëri thirrje për përfundimin e luftërave në Ukrainë dhe Gaza.

Kategoritë
BotaLajme