Mediat e ishullit kanë dënuar tashmë emërimin e Thomas Tuchelit në postin e trajnerit të ekipit kombëtar të futbollit të Anglisë.
Strategu me përvojë do të bëhet gjermani i parë në stolin e “Tre Luanëve”, por Daily Mail nuk e priti me “krahë hapur”, duke bërë të qartë se në një atmosferë të tillë do ta ketë shumë të vështirë të punojë.
Në fakt, ky portal sot në faqen kryesore publikoi një fotografi të trajnerit gjerman me përshkrimin “Një ditë e zezë për futbollin anglez”.
Shtohet se “Tre Luanët” po rrezikojnë me zgjedhjen e Tuchelit, i cili do të fitojë rreth shtatë milionë euro në vit si trajner, dhe se gjermani ka 18 muaj për të treguar se e meriton këtë post.
Tuchel do të pasojë Gareth Southgate-in, i cili u largua pas Kampionatit Evropian në Gjermani, ku Anglia u ndal në finale nga Spanja.
Përkohësisht atë e zëvendësoi Lee Carsley, i cili udhëhoqi Anglinë në katër ndeshje, duke regjistruar tre fitore dhe një humbje ndaj Greqisë.
Nga ana tjetër, në karrierën e tij, Tuchel ka drejtuar Mainz-in, Dortmund-in, PSG-në, Chelsea-n dhe Bayernin e përmendur, dhe puna në Angli do të jetë e para e tij si trajner kombëtar.