Mediat serbe: Serbët e Kosovës po detyrohen të marrin pjesë në protestën e Vuçiqit

Tashmë disa ditë në opinionin serb ka pasur dëshmi dhe vlerësime të shumta për organizimin e punëtorëve nëpër institucione, pensionistëve dhe kategorive sociale që të shkojnë në të ashtuquajturin “tubim të shpresës”, të organizuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 26 maj. Sipas këtyre raportimeve, janë duke u përpiluar listat, dhe protesta interpretohet si “kundër protestë”, ndërsa përkujtohet se ky lloj i “organizimit” është parë edhe më herët nëpër të ashtuquajturat protesta të Millosheviqit në vitet e 1990-ta.

Gjithashtu, ditët e fundit ka pasur shumë dëshmi për detyrimin e punëtorëve për të shkuar në këtë udhëtim, ndërsa nga ana tjetër qeveria e mohon dhe vetë presidenti serb ka thënë se “askush të mos vijë në tubim nëse dikush detyron dhe se ata nuk janë të detyruar të shkojnë”.

Dëshmitë për detyrim ose pagesë për shkuarje me një sandviç, lëng apo edhe para, përveç rrjeteve sociale, mund të lexohen dhe dëgjohen në media që nuk janë nën kontrollin e regjimit aktual në Beograd.

Portali serb Kossev, shkruan se edhe në këtë portal me ditë të tëra po vijnë dëshmitë për përpilimin e listave të njerëzve nëpër vendbanime me shumicë serbe të cilët janë të detyruar të shkojnë në këtë protestë.

Nga ana tjetër, mediat e regjimit shkruajnë të kundërtën, në qendër të të cilave shkrime është “mbështetja e parezervë për pushtetin, para së gjithash për Aleksandar Vuçiqin”. Në mesin e tyre dy nga to janë nga Kosova.

Siç raporton Tanjug, një grup serbësh nga Leposaviqi, Mitrovica e Veriut dhe Anamorava janë nisur dje në mëngjes në këmbë për në Beograd.

Portali “Kosovoonline” dhe “RTV Puls”, mediat në gjuhën serbe nga Kosova, i kanë përcjellë këto grupe në vendngjarje me raportimet e tyre. Ata i kanë përcjellë edhe udhëheqësit politikë serbë.

Një grup prej 23 të rinjsh janë nisur nga Leposaviqi, 12 prej tyre nga ky vend dhe 11 nga Mitrovica e Veriut. Ata kanë të veshur bluza që shkruajnë “Për Serbinë, për Vuçiqin, serbët nga Kosova dhe Metohia”, duke mbajtur pankarta dhe flamuj të Serbisë.

Edhe një grup prej 13 të rinjsh janë nisur nga Anamorava. Ata mbajnë pankarta “Serbët për Kosovë e Metohi, për Vuçiqin”, transmeton Tanjug.

Kategoritë
LajmeRajoni