Gjyqtari boshnjak Irfan Peljto ka gjasa të mëdha të drejtojë derbin e madh turk mes Beşiktaşit dhe Galatasarayt.
Lajmin e kanë publikuar mediat turke, duke theksuar se Peljto është kandidati kryesor për të gjykuar këtë sfidë, pasi Federata Turke e Futbollit (TFF) ka kontaktuar Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës për të diskutuar këtë mundësi.
Vendimi përfundimtar nëse ai do të gjykojë këtë ndeshje apo jo do të merret nga presidenti i TFF-së, İbrahim Hacıosmanoğlu.
Raportohet se Peljto ishte parashikuar të gjykonte edhe derbin e fundit mes Galatasarayt dhe Fenerbahçes (0:0), por në fund kjo mundësi u anulua për shkak se ai është bashkëkombës i kapitenit të Fenerit, Edin Džeko. Në vend të tij, për ndeshjen u caktua gjyqtari slloven Slavko Vinčić.
Peljto ka një përvojë të madhe në gjykimin e ndeshjeve të mëdha, pasi ka arbitruar më parë në ligën greke dhe atë saudite, ndaj atmosfera e derbeve të huaja nuk është e panjohur për të.