Medium serb që operon në Veri ankohet që Ministria e Rakiqit nuk ia çon njoftimet

Ministria për Komunitete dhe Kthim që udhëhiqet nga Goran Rakiq ka lëshuar një komunikatë që njofton për takimin e sotëm me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, i cili pas tensioneve në veri shkoi për ta takuar Rakiqin në Ministri.

Por, kjo komunikatë nuk shkoi në adresën e të gjitha mediave. Dhe për këtë ka shkruar mediumi në gjuhën serbe “KoSSev”, i cili dha lajmin duke cituar mediat të cilave i është dërguar komunikata.“Mediat vendase sot kanë transmetuar edhe njoftimin e ministrisë në krye me Rakiqin për bisedën me ambasadorin amerikan, e cila as kësaj radhe nuk është dërguar në portalin KoSSev”, ka thënë ky medium.

Po ashtu, Ministria nuk ka as faqe zyrtare në internet dhe Facebook, ndërsa komunikata nuk u bë publike as nga faqja e partisë së Rakiqit dhe as nga vetë ai.

Siç ka raportuar portali serb “Kosovo-Online”, që financohet nga zyra e Petar Petkoviqit, në komunikatën që ia ka dërguar Ministria, Rakiqi, përveç ngjarjeve në veri, i ka folur ambasadorit edhe për Asociacionin.

“Rakiq i ka thënë ambasadorit Hovenier se populli serb në Kosovë nuk do të pranojë presion për realizimin e të drejtave elementare dhe se të gjitha ngjarjet dhe e gjithë kriza e ndodhur ditëve të kaluara mund të zgjidhen ekskluzivisht përmes dialogut me respekt të plotë për nevojat themelore kur është fjala për funksionimin normal të serbëve. Në vend që sot të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, i cili është dashur të formohet me marrëveshjen e Brukselit nëntë vjet më parë dhe problemeve që i kemi zgjidhur përmes mekanizmave të tij, ne ende kërkojmë formimin e tij, gjë që është e papranueshme”, thuhet në këtë komunikatë.

Kategoritë
LajmeVendi