BIA serbe ka nisur rekrutimin e agjentëve të rinj serbë nga rajoni i Republikës Srpska. Këta agjentë nuk refuzojnë të bëjnë asnjë detyrë, sado “e pistë” të jetë. Misioni i tyre është i qartë, zbehja e protestave kundër pushtetit të Vuçiqit në Serbi duke destabilizuar me fabrikime të ndryshme situatën në Bosnje e edhe në Kosovë. BIA po ndihmohet intensivisht nga inteligjenca ruse dhe vet Rusia. ‘Oslobodjenje’ sjell detaje nga plani serb…
Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Informacionit (BIA serbe) po punon me gjithë zemër për të mbajtur në pushtet Aleksandar Vuçiqin dhe regjimin e tij. Aktualisht, shqetësimi kryesor i tyre është ndalimi i protestave studentore që kanë marrë vrull në Serbi dhe paraqesin goditjen më të rëndë të qeverisë së Vuçiqit deri më tani.
BIA po përpiqet në mënyra të ndryshme të zhvlerësojë rëndësinë e protestave apo të diskreditojë përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes studentore.
Një nga mënyrat për të arritur këtë qëllim është, siç ka paralajmëruar mediumi boshnjak ‘Oslobodjenje’, plani “djallëzor” për të destabilizuar Bosnjen dhe Kosovën, plan ky i quajtur “Perde e Tymosur” (Smoke Screen).
Në këtë mënyrë synohet të krijohet një imazh në opinionin serb se Serbisë i kërcënohet rreziku nga jashtë dhe se duhet “mbrojtur Serbinë”.
Kjo sipas mediumit, do të kishte si pasojë që banorët e Serbisë thjesht të injoronin protestat për shkak të “rrezikut më të madh”.
Sot mediumi vjen me një njoftim të ri.
Sipas ‘Oslobodjenje’, BIA serbe nuk po vepron e vetme në kryerjen e detyrave të saj, si në territorin e Serbisë ashtu edhe në BeH.
Ajo po ndihmohet intensivisht nga ndihmat e bollshme të shërbimeve inteligjente ruse.
Sipas ‘Oslobodjenje’, agjencia serbe jo vetëm që përdor metodat dhe përvojën e inteligjencës ruse, por merr edhe ndihmë konkrete.
“Sipas informacioneve që kemi mundur të marrim, agjentët e BIA-s serbe po përdorin pajisje teknike, të cilat i kanë marrë si një formë ndihme nga inteligjenca ruse, për të përgjuar aktivistët e shoqërisë civile, si dhe disa diplomatë të huaj”, thuhet në tekst.
Pikërisht për shkak të bashkëpunimit gjithnjë e më intensiv me Rusinë dhe me shërbimet e inteligjencës ruse, një përçarje po ndodh brenda vetë BIA-s ose më saktë midis agjentëve të saj.
Siç thuhet në tekst, disa agjentë të BIA-s serbe janë kundër një bashkëpunimi kaq të ngushtë me Rusinë. Ky polarizim u intensifikua veçanërisht gjatë kohës kur Vulin ishte në krye të kësaj agjencie, gjatë viteve 2022 dhe 2023.
Megjithatë, kjo nuk është arsyeja e vetme për këtë ndarje brenda agjencisë. Arsyeja e dytë është gjoja “rekrutimi” i personelit nga zona e Republikes Serbe.
Sipas ‘Oslobodjenje’, BIA serbe duket se po punëson gjithnjë e më shumë njerëz, veçanërisht të rinj, nga zona e Republikes Serbe, të cilët po bëhen shpejt të njohur për arrogancën dhe sjelljen e tyre joprofesionale. Megjithatë, shefat e tyre “ia rrahin kurrizin” sepse këta të rinj nuk refuzojnë të bëjnë asnjë detyrë, sado “e pistë” të jetë.
Në ndihmë edhe mediat ruse
Përveç kësaj, media propagandistike ruse Russia Today dhe Sputnik, të cilat janë verbërisht besnike ndaj Vladimir Putinit dhe përhapin vazhdimisht narrativën e tij për gjoja “fuqinë ruse”, kanë hapur zyrat e tyre përfaqësuese në Serbi.
Ndikimi rus, jo vetëm në Serbi, por edhe në Republiken Serbe, reflektohet edhe në miratimin e ligjeve që praktikisht kriminalizojnë ata që nuk janë dakord me qeverinë. Madje se në RS është miratuar një ligj që penalizon shpifjen. Gjithashtu, është vënë në procedurë i ashtuquajturi ligji për agjentët e huaj, i cili vlen për të gjitha organizatat joqeveritare që në çfarëdo mënyre marrin ndihmë financiare nga jashtë. Ndërkohë, ky ligj është tërhequr nga procedura parlamentare, por Milorad Dodik së fundmi ka paralajmëruar “ringjalljen” e tij.
Ligje të tilla mund të miratohen së shpejti edhe në Serbi. Si RS ashtu edhe Serbia janë modeluar sipas ligjeve të miratuara nga regjimi i Putinit në Rusi, të cilat shërbejnë për të eliminuar të gjithë kundërshtarët politikë.
Kanali kryesor i bashkëpunimit me Rusinë është ish-drejtori i BIA-s, Aleksandar Vullin. Ai njihet si një njeri që është verbërisht besnik ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe pikërisht për këtë presidenti serb ka besim të pakufizuar tek ai.
Vullin mund t’i vërtetojë lidhjet e tij të mira me Rusinë edhe me dy dekorata që mori në një periudhë të shkurtër kohore. Ai mori një dekoratë nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), dhe tjetra iu dha me dekret të vetë Vladimir Putinit. Ajo që është interesante për çmimin e dytë është se atij iu dorëzua nga Sergei Naryshkin, drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR).
Sipas ‘Oslobodjenje’ nëse ky informacion është i saktë lind pyetja se a ka gisht në çdo gjë edhe ambasadori serb në BeH, Ivan Todorov, i cili vetë ka qenë punonjës i BIA-s nga viti 2018 deri në vitin 2023. Ai u emërua ambasador i Serbisë në BiH në tetor 2023.