Gjermani Thomas Tuchel, ish-trajneri i Borussia Dortmund, PSG, Chelsea dhe Bayern Munich, është përzgjedhës i ri i Anglisë dhe do të marrë postin më 1 janar 2025, njoftoi të mërkurën Federata Angleze e Futbollit (FA).
Ai mbajti edhe konferencën e parë për media ku foli për tema të ndryshme.
Gazetarët i bënë edhe disa pyetje të ndjeshme, si ajo për këndimin e himnit kombëtar anglez.
“Siç e kuptoj unë, është një vendim personal. Disa këndojnë himnin kombëtar, disa jo. Himni kombëtar anglez është i veçantë. E ndjeva atmosferën në Wembley kur mora pjesë në finalen e FA Cup. Në çdo rast, unë do tregoj respekt për himnin kombëtar dhe për pozicionin tim të ri dhe për vendin që përfaqësoj tani”, ka thënë Tuchel.
Por, mediumi anglez Daily Mail është shumë e pakënaqur me emërimin e Tuchel për shkak të kombësisë së tij.
Me titullin “Një ditë e errët për Anglinë” dhe nëntitullin “Tre Luanët vënë bast për gjermanin. Tuchel ka vetëm 18 muaj për të treguar se është në gjendje të drejtojë”, shkruan ky medium.
Teksti ishte edhe më i ashpër, duke e kritikuar gjermanin për punën, ndërsa hodhën edhe një paralele me emra si Sven Goran Eriksson dhe Fabio Capello, trajnerë të huaj që udhëhoqën Anglinë.
“Tani kemi Thomas Tuchel, një gjerman me përvojë të dyshimtë si trajner dhe FA që vrapon si pula pa kokë në panik për të qenë i pari, përpara Manchester United në kërkimin e një trajneri. Lee Carsley nuk ishte njeriu i duhur, por a është ky vërtet më e mira që mund të bëjmë. A nuk ka mësuar askush asgjë nga qëndrimi “merr paratë dhe ik” me emra si Sven Goran Eriksson dhe Fabio Capello?”, shkruan ky medium.
“Çfarë do të thotë kjo për sistemin e stërvitjes angleze? Sa fyese, injorante dhe miope e pafalshme. A do ta pranonin Spanja apo Franca këtë qasje? Ndoshta mund të kishim bërë një përjashtim për të fuqishmin Pep Guardiola, por tani kemi një njeri që nuk na ka borxh asgjë dhe do të ecë në lojën tonë me një kontroll të madh dhe pa lidhje me tifozët apo lojtarët. Kjo është një ditë e zezë për futbollin anglez. Ne jemi objekt talljeje”, vazhdonte teksti.
Tuchel është pasardhësi i Gareth Southgate, i cili drejtoi kombëtaren angleze nga viti 2016 deri në vitin 2024, dhe Lee Carsleyt, periudha e përkohshme e të cilit u zgjat deri në ndeshjet e nëntorit. Ai do të bëhet trajneri i tretë i huaj në historinë e “Tre Luanëve” pas më parë defiluan suedezi Sven-Goran Eriksson (2001-2006) dhe italiani Fabio Capello (2007-2012).