Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitri Medvedev, deklaroi se fjalët e nënpresidentit amerikan J.D. Vance për Evropën në Konferencën e Sigurisë në Mynih janë tërësisht të vërteta, duke vlerësuar se Evropa është e dobët, jo tërheqëse dhe se nuk i nevojitet më askujt.
Ai theksoi se Evropa do t’i “gëlltisë” kritikat e Vance të bëra në Konferencën e Mynihut, por do ta urrejë atë për këtë.
“Këtë herë, fushata antiruse në Mynih u prish ndjeshëm nga fjalimi shumë provokues i nënpresidentit Vance. Të gjithë prisnin fraza sipërfaqësore partneriteti drejtuar Evropës dhe komentet e presidentit amerikan Donald Trump për përfundimin e konfliktit në Ukrainë, por ai doli nga skenari dhe u tha të vërtetat evropianëve që janë plotësisht të humbur vitet e fundit,” shkroi Medvedev.
Në rrjetet sociale, ai shtoi se nëse Vance nuk do të ishte një zyrtar i lartë amerikan, evropianët do ta trajtonin ndryshe këtë deklaratë, por në këtë rast, ata “do ta gëlltisin me urrejtje këtë qortim poshtërues nga partneri më i madh”.
Medvedev shtoi se ajo që tha Vance për Evropën është plotësisht e vërtetë, duke e përshkruar nënpresidentin amerikan si një “djalë të guximshëm”, por që i mungon përvoja për rolin e tij aktual.
“Koha e kësaj Evrope ka kaluar prej kohësh. Ajo është me të vërtetë e dobët, jo tërheqëse dhe praktikisht nuk i nevojitet më askujt, përveç vetes së saj,” përfundoi Medvedev.
Gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, nënpresidenti amerikan J.D. Vance deklaroi dje se Evropa po kalon një krizë të cilën e ka krijuar vetë, dhe jo Rusia apo Kina.
Si shembuj shqetësues, ai përmendi anulimin e rezultateve zgjedhore në Rumani dhe rrezikun e një skenari të ngjashëm në Gjermani.