Memorandumi SHBA -Serbi: Një oficer serb për ndërlidhje vendoset në State Department

Ivica Daçiq, Ministër i Jashtëm i Serbisë, ka njoftuar për nënshkrimin e një memorandumi në mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas marrëveshjes, një oficer serb do të vendoset për ndërlidhje në Departamentin e Shtetit.

Siç raporton N1, Daçiq ka deklaruar se ka dallime në mes Beogradit dhe Uashingtonit, por shton se duhet të kenë marrëdhënie strategjike.

“Ne nuk mendojmë njësoj për shumë çështje, por duam marrëdhënie të mira strategjike me Uashingtonin”, tha Daçiç. Ai me këtë rast ka thënë se Beogradi do t’i gëzohej një vizite të Sekretarit Amerikan të Shtetit, por ka theksuar se tani mirëpresin vizitën në Serbi të këshilltarit të Departamentit të Shtetit Derek Chollet më 12 janar.

“Memorandumi ka të bëjë me vendosjen e bashkëpunimit mes dy ministrive në lidhje me mundësinë që njerëzit tanë të përmirësohen dhe të fitojnë njohuri të reja brenda Departamentit të Shtetit. Kjo marrëveshje është një mundësi tjetër për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe”, ka deklaruar kryediplomati serb.

Ai po ashtu ka thënë se shkëmbimi ekonomik ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së është rritur dhe se vlera e tij vjetore ka kaluar një miliard dollarë.

“Pothuajse 32,000 njerëz punojnë në kompanitë amerikane në Serbi”, është shprehur Daçiq.

Memorandumin e ka nënshkruar Daçiq dhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Kosova po ashtu ka një zyrtare ndërlidhëse në State Department sipas një marrëveshje mes dy palëve.

Kategoritë
LajmeRajoni