Kancelari i ardhshëm gjerman Friedrich Merz (CDU) deklaroi se prioriteti i tij është forcimi i Evropës dhe pavarësia e saj në mbrojtje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë një debati televiziv, i pyetur se sa shpejt mund të formojë qeverinë, Merz u shpreh: “Qëllimi im kryesor është të forcoj Evropën sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të jemi të pavarur nga Shtetet e Bashkuara në mbrojtje.”
Ai shtoi se nuk e kishte menduar kurrë se do ta thoshte një fjali të tillë në televizion, por deklaratat e Donald Trump-it javën e kaluar treguan qartë se “kjo qeveri amerikane nuk kujdeset për Evropën.”
Merz, gjatë debatit, përmendi gjithashtu edhe rolin e Elon Musk-ut, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje” në zgjedhjet gjermane. Ai e quajti këtë veprim “drastik dhe të turpshëm” dhe e krahasoi me ato që, sipas tij, “dikur vinin nga Moska.” Kujtojmë se muajin e kaluar Musk shprehu publikisht mbështetjen për partinë e djathtë ekstreme AfD.
Duke komentuar procesin e formimit të qeverisë së re, Merz theksoi se do të jetë një “detyrë e vështirë”, por shtoi: “Ne e dinim këtë edhe para zgjedhjeve.” Ai theksoi nevojën për të përcaktuar një afat kohor për negociatat mes partive dhe shprehu besimin se qeveria e re do të formohet deri në Pashkët e prillit.
“Evropa pret që Gjermania të krijojë sa më shpejt një qeveri të fortë,” përfundoi Merz.