Mes gëzimit dhe ankthit, vazhdon rikthimi i palestinezëve në veri të Gazës

Dhjetëra mijëra persona gëzojnë dobitë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit, e cila parasheh edhe rikthimin e palestinezëve të zhvendosur brenda Gazës

Për të dytën ditë me radhë, mes gëzimit nga rikthimi dhe ankthit se si do t’i gjejnë shtëpitë e tyre, palestinezët vazhdojnë të kthehen në pjesën veriore të Rripit të Gazës pasi më herët u detyruan të largoheshin shkaku i luftës gjenocidale të Izraelit, raporton Anadolu.

Dhjetëra mijëra persona, duke ecur në këmbë përmes rrugës bregdetare Al-Rashid, gëzojnë dobitë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit, e cila parasheh edhe rikthimin e palestinezëve të zhvendosur brenda Gazës.

Banorët e Gazës gjithashtu kishin mundësi të kthehen në veri me automjete përmes Korridorit Netzarim, i cili ndan pjesën jugore të territorit nga veriu.

Rikthimi i palestinezëve të zhvendosur brenda Gazës filloi dje në mëngjes. Gjatë ditës së djeshme, u shënuan momente tejet emocionale me lot gëzimi, pas ribashkimit të familjarëve të ndarë.

– U rikthyen mbi 300 mijë persona të zhvendosur

Sipas Zyrës së Medias në Gaza, mbi 300 mijë persona të zhvendosur kaluan në veri të Gazës nëpërmjet rrugëve Al-Rashid Salah al-Din.

Marrëveshja e armëpushimit të Gazës hyri në fuqi më 19 janar, duke pezulluar luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë më shumë se 47.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 111.400 që nga 7 tetori 2023.

Sulmet izraelite kanë lënë më shumë se 11 mijë persona të zhdukur, me shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve, në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhërarreste në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.

Kategoritë
BotaLajme