Mesazh i drejtpërdrejtë nga Trump për Rusinë: “Nëse nuk arrijmë marrëveshje, nuk do të kem zgjidhje tjetër përveçse të vendos sanksione”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në rrjetin social Truth Social, ka folur mbi marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe ka deklaruar se dëshiron të ndërtojë paqen.

Në një status të gjatë në këtë rrjet, Trump tha se nuk dëshiron t’i bëjë dëm Rusisë.“Nuk dua t’i bëj dëm Rusisë. E dua popullin rus dhe gjithmonë kam pasur marrëdhënie shumë të mira me presidentin Putin – dhe kjo pavarësisht ‘zërave’ të së majtës radikale mbi Rusinë. Nuk duhet të harrojmë kurrë që Rusia na ndihmoi të fitojmë Luftën e Dytë Botërore, duke humbur në atë proces gati 60,000,000 jetë njerëzish. Me gjithë këtë, do t’i bëj një favor shumë të madh Rusisë, ekonomia e së cilës po rrënohet, dhe presidentit Putin. Qetësohuni tani dhe ndaloni këtë luftë të tmerrshme! Situata vetëm sa do të përkeqësohet,” deklaroi Trump.

Ai foli gjithashtu për atë që e pret Rusinë nëse nuk arrihet një marrëveshje.

“Nëse nuk arrijmë një marrëveshje dhe kjo ndodh shpejt, nuk do të kem zgjidhje tjetër përveçse të vendos tatime të larta, tarifa dhe sanksione ndaj gjithçkaje që Rusia shet në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Hajde ta përfundojmë këtë luftë që nuk do të kishte nisur kurrë nëse unë do të isha president. Mund ta bëjmë këtë në mënyrën e lehtë ose të vështirë. Mënyra e lehtë është gjithmonë më e mirë. Është koha të arrini një marrëveshje. Nuk duhet të humbasim më kohë,” përfundoi Trump.

Kategoritë
BotaLajme