Në një akt simbolik, Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur kapela në ulëset e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.
Ky veprim erdhi si përgjigje ndaj publikimit të bisedave të fundit të koordinatores së komuniteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihalit, me ish-shefin e KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Gjatë ditës së hënë janë publikuar disa komunikime në mes të Koordinatores së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi.
Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike, që Krasniqi e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.
Më vonë në komunikimet tjera, Mihali vendos se kur do të ketë reduktime të rrymës në Kosovë. Ajo e udhëzon Krasniqin që në ditë të caktuara të mos ketë reduktime. /Reporteri.net/