Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi ashpër pasardhësin e saj në krye të Bashkimit Kristian-Demokratik (CDU) të Gjermanisë, Friedrich Merz.
Ajo u zemërua pasi unioni konservator CDU/CSU miratoi ashpërsimin e politikave të migracionit me ndihmën e votave të Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, shkruan portali i gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Politikanë nga Partia Socialdemokrate (SPD) dhe të Gjelbrit shprehën respekt për ish-kancelaren Merkel (CDU) për kritikën që ajo bëri ndaj bashkëpunimit të CDU-së dhe AfD-së mbi politikat e migracionit. Me fjalën “mirësjellje”, shefi i kabinetit të kancelarit Wolfgang Schmidt (SPD) e përshkroi deklaratën e Merkelit në platformën X.
“Faleminderit, Angela Merkel,” shkroi nënkryetarja e Bundestagut, Katrin Göring-Eckardt (Të Gjelbrit), në X. Ajo shtoi: “Fjalët e saj – dhe fakti që tani duhet t’i thotë – tregojnë humnerën drejt së cilës po shkon CDU.”
“Ka ende demokratë të sinqertë të krishterë brenda CDU-së,” shkroi deputeti i të Gjelbërve në Bundestag, Bruno Hönel. “Angela Merkel është një prej tyre.”
Kryetari i të Gjelbërve, Felix Banaszak, shkroi në X, në lidhje me deklaratën e Merkelit, se “është e trishtueshme që duket se drejtuesit e CDU-së duan më shumë të distancohen nga ajo sesa nga AfD-ja.” Merkel “gjithmonë ka përfaqësuar një CDU të qendrës demokratike,” shkroi deputeti i të Gjelbërve në Bundestag, Marcel Emmerich. “Në ndryshim nga Merz, ajo vazhdon ta bëjë këtë edhe sot.”
“Pasi kishat, sindikatat dhe anëtarët e vetë partisë, si kryeministri i Schleswig-Holstein Daniel Günther, kritikuan shkeljen historike të një tabu-je nga Friedrich Merz, tani të njëjtën gjë bën edhe ish-kancelarja Angela Merkel,” thuhet në një deklaratë të drejtuesve të SPD-së.
Sipas një postimi në X, Merz me këtë veprim ka braktisur qendrën politike. Presidenti i CDU-së ka treguar me sjelljen e tij se “nuk është i aftë për të kryer detyrën e kancelarit.”
Merkel më parë kishte kritikuar veprimin e CDU-së për ashpërsimin e politikave të migracionit me ndihmën e votave të AfD-së. Në një deklaratë të publikuar nga zyra e saj, ajo kujtoi një deklaratë të mëparshme të Merz-it, sipas së cilës, vendimet në rendin e ditës do të ishin vetëm ato të dakorduara paraprakisht me SPD-në dhe të Gjelbrit, për të parandaluar një shumicë votash me ndihmën e AfD-së. “Kjo propozim dhe qasja e tij ishin shprehje e një përgjegjësie të madhe shtetërore, të cilën e mbështes plotësisht,” deklaroi Merkel.
Ajo shtoi: “E konsideroj të gabuar të mos ndihesh më i detyruar të respektohet ky propozim dhe që më 29 janar 2025 për herë të parë të mundësohet me vetëdije një shumicë me votat e AfD-së në Bundestag.”
Në vend të kësaj, ajo theksoi nevojën që “të gjitha partitë demokratike, përtej kufijve partiakë, jo si manovra taktike, por në mënyrë të ndershme dhe me tone të moderuara, të punojnë së bashku mbi bazën e ligjit të vlefshëm evropian për të parandaluar në të ardhmen sulme të tmerrshme si ato që ndodhën kohët e fundit, menjëherë para Krishtlindjeve në Magdeburg dhe disa ditë më parë në Aschaffenburg.”
Bundestagu miratoi të mërkurën një propozim të CDU-së që parashikon refuzimin e azilkërkuesve në kufijtë gjermanë. Për këtë votuan 187 deputetë të CDU-së, 75 të AfD-së, 80 të FDP-së dhe 6 të pavarur, gjithsej 348 vota. Kundër votuan 344 deputetë.
Pesë pikat e Merz-it për kufizimin e migracionit:
- Kontroll i vazhdueshëm kufitar me të gjitha vendet fqinje.
- Ndalim i hyrjes për të gjithë personat që nuk kanë dokumente të vlefshme, pavarësisht nëse kërkojnë mbrojtje, pasi vendet fqinje jo-evropiane tashmë janë të sigurta për të përndjekurit.
- Mbajtja në paraburgim e personave që ligjërisht duhet të largohen nga vendi, përfshirë akomodimin në kazerma të zbrazura dhe struktura të tjera të përkohshme. Deportimet duhet të jenë “të përditshme”, duke përfshirë edhe ato drejt Afganistanit dhe Sirisë.
- Mbështetje për landet federale në zbatimin e deportimeve. Policia federale duhet të ketë mundësinë të kërkojë urdhër arresti, paraburgimi ose ndalimi lidhur me deportimin.
- Kriminelët dhe personat e rrezikshëm do të mbahen në paraburgim derisa të kthehen vullnetarisht në vendin e tyre të origjinës ose derisa deportimi të bëhet i mundshëm.