Mësimdhënësit e dy komunave të mëdha, Prizrenit dhe Podujevës vendosin për ndërprerjen e grevës

Tashmë në shumë shkolla nëpër komuna të Kosovës kanë dhënë qëndrimet e tyre për grevën e organizuar tash e një muaj nga SBAShK-u. Rezultatet e votimeve tregojnë se për nisje të mësimit janë shumë mësimdhënës.

Pakënaqësitë me zgjatjen e grevës së organizuar nga SBAShK-ut vetëm sa po rriten. Deri sa një pjesë e shkollave pas votimeve të fshehta kanë vendosur të nisin procesin mësimor, në ato shkolla ku ende po mbahet greva, prindërit po organizojnë protesta.

Duke parë se greva po thyhet nga brenda dhe se shumica e mësimdhënësve po shprehen kundër grevës, drejtuesit e SBAShK-ut kanë nisur të pyesin shkollat nëse janë për të nisur ose jo mësimin më 3 tetor.

Podujeva me 80 për qind për nisje të mësimit, kundër grevës edhe shumica në Prizren

E tashmë kundër grevës dhe për mësim janë deklaruar edhe mësimdhënësit nga komuna e Podujevës dhe ajo e Prizrenit.

KosovaNews mëson se 80 për qind e shkollave nga komuna e Podujevës kanë votuar që të ndërpritet greva dhe të fillohet me procesin mësimor.

Po ashtu edhe shumica e mësimdhënësve nga shkollat në Prizren kanë votuar që mësimi të nis më 3 tetor.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka thënë, më 28 shtator, se i është drejtuar anëtarësisë greviste me një shkresë, përmes të cilës u ka kërkuar të japin mendimin e tyre për idenë që të pezullohet greva në arsim.

Si pasojë e grevave që kanë nisur në sektorin e arsimit më 25 gusht, mbi 300.000 nxënës kanë mbetur pa mësim.

Në fillim të këtij muaji, Qeveria e Kosovës ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, përfitojnë nga 50 euro shtesë, nisur nga ky muaj./KosovaNews/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi