Legjenda e futbollit gjerman me prejardhje turke, Mesut Özil, ka hyrë përfundimisht në politikë, pasi të dielën u emërua në një pozicion të rëndësishëm në Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), partia në pushtet në Turqi e udhëhequr nga presidenti Recep Tayyip Erdogan.
Özil prej kohësh ka pasur një lidhje të ngushtë me Erdoganin dhe u bë anëtar i partisë menjëherë pas përfundimit të karrierës së tij futbollistike. Tani, ai duket se ka vendosur të përfshihet më aktivisht në proceset politike në Turqi.
Të dielën u mbajt kongresi i partisë AKP, ku Özil u emërua në Komitetin Qendror për Vendimmarrje dhe Menaxhim të partisë në pushtet.
Gjatë karrierës së tij si futbollist, Özil shpeshherë ishte në shënjestër të kritikave për afërsinë e tij me Erdoganin. Në vitin 2018, pesë vite para pensionimit nga futbolli, ai mbylli karrierën me kombëtaren gjermane pikërisht për këtë arsye. Ai u tërhoq nga përfaqësuesja pas një polemike të madhe që shpërtheu pasi u fotografua me Erdoganin në Londër.
Reinhard Grindel, i cili në atë kohë ishte president i Federatës Gjermane të Futbollit, akuzoi lojtarët se lejuan Erdoganin t’i “përdorte” për qëllime politike.
Mesut Özil është 36 vjeç dhe kanë kaluar dy vite që kur ai mbylli karrierën e tij në futboll. Ai la gjurmën më të thellë te Arsenal, ku në 254 ndeshje shënoi 44 gola dhe dhuroi 75 asistime. Ndërsa për Real Madridin zhvilloi 159 ndeshje, duke shënuar 27 gola dhe regjistruar 81 asistime.