Michel: Shqipëria i ka përmbushur kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Këshillit Evropian, pas takimeve mes tyre mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, duke u fokusuar në disa çështje

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka deklaruar se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe sipas tij, bisedimet për anëtarësim duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Këshillit Evropian, pas takimeve mes tyre mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, duke u fokusuar në disa çështje.

Rama tha se në takimin me presidentin e Këshillit Evropian kanë folur në lidhje me bisedimet për anëtarësim në BE, ecurinë e marrëdhënieve rajonale, për nismën “Ballkani i Hapur”, procesin e reformave në Shqipëri, si dhe sfidat në raport me luftën në Ukrainë.

“Përtej vështirësive të procesit, përtej aspekteve të mirënjohura të formalizimit të hapave të mëtejshëm për t’u hedhur, jemi në një nivel krejt tjetër të bashkëjetesës në situatën politike evropiane, si rezultat edhe i një vullneti, gjithmonë e më të shprehur, nga ana e Bashkimit Evropian, nga ana e autoriteteve në Bruksel për ta afruar më shumë Ballkanin Perëndimor drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se ideja e anëtarit të asociuar të Bashkimit Evropian është një ide e cila po merr më shumë mbështetje. “E mbështes plotësisht vizionin e presidentit të Francës për këtë komunitet të ri që vjen sot edhe më shumë në rendin e ditës si pasojë e asaj që ndodh në Ukrainë. Pra një komunitet i ri politik evropian, ku jo vetëm vendet e Bashkimit Evropian si anëtarë, por edhe vende të tjera të jenë të përfshira”, u shpreh Rama.

“Sa i përket pjesës që ka të bëjë me Maqedoninë e Veriut, ne jemi absolutisht në një linjë me Këshillin Evropian dhe deri në fund kur të kryhet mbledhja e Këshillit Evropian ne shpresojmë që Bullgaria të hapë rrugën dhe të dyja vendet të fillojnë negociatat formale. Në rast se kjo nuk do të ndodhë, ne do të ndryshojmë kursin”, theksoi Rama.

– “Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave”

Michel tha se Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe sipas tij, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe bisedat për anëtarësim duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ne duhet të japim energji të reja procesit të integrimit sepse sfidat na bëjnë që të mendojmë dhe të kalojmë përtej atyre modeleve tradicionale, me mënyra të reja për të menduar, me mënyra novative për të krijuar stimuj të ri për reforma që të përshpejtohen dhe të përshpejtohet procesi i integrimit evropian dhe ne po punojmë që të japim rezultate të prekshme për gjithë shqiptarët dhe për të gjithë partnerët tanë në rajon”, tha ai.

Michel theksoi se ai e mbështet nismën “Ballkani i Hapur”, duke shtuar se “Uroj që të gjithë të bashkohen në këtë nismë, sepse do të jenë më të mëdha aftësitë për të bashkëpunuar dhe për të forcuar strukturat ekonomike”.

“E kemi diskutuar dhe me kryeministrin sot, një ide që ne dëshirojmë të fillojmë sa më shpejt të jetë e mundur, e anëtarëve të asociuar. Pra ky është një objektiv i përafërt që ne dëshirojmë të kemi formatet e duhura, në mënyrë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të kuptojmë gjithçka më mirë, të kuptojmë cilat janë mundësitë, vështirësitë e se si mund të kujdesemi për njëri tjetrin e kjo gjë më pëlqen”, tha Michel.

Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe është në pritje të fillimit të negociatave zyrtare të anëtarësimit.

Kategoritë
LajmeRajoni