Microsoft pushoi nga puna dy inxhiniere që protestuan kundër bashkëpunimit me Izraelin

Gjiganti amerikan i teknologjisë, Microsoft, ka pushuar nga puna dy inxhiniere softuerike që protestuan kundër furnizimit të ushtrisë izraelite me teknologji të inteligjencës artificiale.

Ibtihal Aboussad, inxhiniere softuerike në departamentin e inteligjencës artificiale të Microsoft-it, u pushua nga puna të hënën për “sjellje të qëllimshme të keqe, mosbindje ose neglizhencë të detyrës”.

Vaniya Agrawal, një tjetër inxhiniere, kishte planifikuar të jepte dorëheqjen më 11 prill, por kompania e aktivizoi menjëherë largimin e saj.

Protesta ndodhi të premten, kur Aboussad ndërpreu prezantimin e drejtorit të inteligjencës artificiale Mustafa Suleyman gjatë një eventi për 50-vjetorin e kompanisë, duke bërtitur se ai kishte “duar të përgjakura” dhe akuzoi Microsoft-in për furnizimin e ushtrisë izraelite me armë të bazuara në AI. “50.000 njerëz kanë vdekur, dhe Microsoft po e drejton këtë gjenocid në rajonin tonë”, tha ajo.

Më vonë, Agrawal ndërpreu një panel të ndarë, ku merrnin pjesë CEO Satya Nadella, ish-CEO Steve Ballmer dhe themeluesi Bill Gates, duke thirrur: “Turp t’ju vijë të gjithëve… Ndërprisni lidhjet me Izraelin”.

Pas protestave, Aboussad dërgoi një e-mail stafit dhe drejtuesve të Microsoft-it, duke deklaruar se kompania po shtypte mendimet ndryshe të punonjësve. Emaili përmbante një lidhje me peticionin “No Azure for Apartheid”, një grup punonjësish të Microsoft-it që më parë kishin protestuar kundër bashkëpunimit të kompanisë me Izraelin.

Microsoft u përgjigj ndaj emailit të Aboussad duke thënë se kishin marrë parasysh “sjelljen e keqe” dhe se “ndërprerja e menjëhershme” e punësimit të saj ishte “reagimi i vetëm i përshtatshëm”.

Edhe Agrawal shprehu shqetësimet e saj në një email, duke kritikuar përfshirjen e Microsoft-it në kompleksin ushtarako-industrial dhe duke e quajtur kompaninë “bashkëpunëtore” në mbështetjen e mbikëqyrjes, aparteidit dhe gjenocidit.

“Ne ofrojmë shumë mënyra që zëri i të gjithëve të dëgjohet. Ajo që është e rëndësishme, është që kjo të ndodhë pa ndërprerje të aktivitetit të biznesit. Nëse ndodh ndryshe, u kërkojmë pjesëmarrësve të largohen”, tha një zëdhënës i Microsoft-it.

Ushtria izraelite përdor inteligjencën artificiale për të analizuar të dhënat e inteligjencës, përgjon komunikimet dhe të dhënat e mbikëqyrjes për të identifikuar sjellje të dyshimta dhe për të ndjekur lëvizjet e armikut.

Mbi 50.700 palestinezë janë vrarë në Gaza gjatë ofensivës brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Izraeli po përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij kundër palestinezëve në këtë enklavë.

Kategoritë
BotaLajme