Mijëra libanezë ikin në Sirinë e shkatërruar nga lufta mes sulmeve ajrore izraelite

Sipas burimeve lokale, më shumë se 5.500 familje libaneze, duke përfshirë anëtarë të Hezbollahut dhe të afërmit e tyre, kanë kaluar në Siri që nga fillimi i sulmeve të izraelit më 23 shtator

Sulmet ajrore izraelite në Liban kanë shkaktuar një migrim masiv të mijërave njerëzve që ikin drejt Sirisë, një vend tashmë i shkatërruar nga konflikti ndër vite, raporton Anadolu.

Sipas burimeve lokale, më shumë se 5.500 familje libaneze, duke përfshirë anëtarë të Hezbollahut dhe të afërmit e tyre, kanë kaluar në Siri që nga fillimi i sulmeve të izraelit më 23 shtator.Familjet e zhvendosura po vendosen në fshatrat përreth Damaskut, Halepit, Homsit dhe Hamës, zona të bombarduara rëndë dhe kryesisht të braktisura për shkak të viteve të luftimeve nën regjimin sirian të Bashar al-Assadit.

 

Komitetet lokale të Hezbollahut në Siri thuhet se po ndihmojnë për të strehuar të sapoardhurit. Fillimit të vendosur në strehimore të përkohshme, familjet gradualisht po zhvendosen në fshatrat e shkatërruara nga lufta.

“Ne do të shkojmë në Damask”

Huseyin Ali, një libanez që i shpëtoi dhunës, për Anadolu tregoi përkeqsimin e kushteve në Libanin jugor.

“Nuk mund të jetoni më në Libanin jugor, në zonën e Dahiyeh-it apo në ndonjë rajon me shiitë. Ne jemi vazhdimisht nën sulm si shiitë. Ne do të shkojmë në Damask, ku është më e sigurt për ne. ne vërtet e duam Bashar al-Assadin”, tha ai.

Muhammet Ferruh, një tjetër banor i arratisur, tregoi për intensitetin e sulmeve pranë shtëpisë së tij në Libanin jugor.

“Askush nga të afërmit e mi nuk ka mbetur në fshat. Ka sulme rreth fshatit çdo ditë dhe në ditët e para kishte sulme të mëdha në qendër të fshatit”, tha Ferruh, duke shtuar se 26 njerëz u vranë në ditët e parë të sulmeve.

Një djalë i ri 12-vjeçar, Tac Seyyid, nga Baalbek, ndau frikën e tij nga dhuna.

“Zhurmat më trembnin shumë. Situata në Baalbek ishte shumë e tmerrshme. Ne nuk mund të flinim natën. Tani do të shkojmë në Damask”, tha ai.

Izraeli ka goditur Libanin që nga e hëna e kaluar me sulmet ajrore që sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, kanë vrarë më shumë se 700 njerëz dhe kanë plagosur afër 2.200.

Ministria libaneze gjithashtu tha se numri i të vdekurve në Liban që nga tetori i kaluar është 1.540.

Më herët, ushtria izraelite tha se lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ishte “likuiduar” gjatë një operacioni që shënjestroi komandën qendrore të Hezbollahut që ndodhej nën një ndërtesë banimi në periferitë jugore të Bejrutit.

Që nga e hëna e kaluar, ushtria izraelite ka nisur sulmin e saj “më intensiv dhe më të gjerë” ndaj Libanit që nga fillimi i konfrontimeve të saj me Hezbollahun rreth një vit më parë.

Si kundërpërgjigje, Hezbollahu ka gjuajtur qindra raketa në objektet ushtarake izraelite, vendbanimet, madje edhe selinë e Mossad-it në Tel Aviv.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, ku janë vrarë të paktën 41.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato ngjallin spektrin e kthimit të konfliktit të Gazës në një luftë rajonale.

Kategoritë
BotaLajme