Milan dëshiron transferimin e Arda Guler

Milan ka nisur punën në merkato dhe po synon që ta përforcojë sa më shumë të mundet ekipin për sezonin e ri.

Së fundmi mediet italiane raportojnë se “Djalli” dëshiron që në sezonin e ri të ketë në ekip talentin turk të Real Madrid, Arda Guler, i cili zhvilloi një super Europian me Turqinë deri në fazën çerekfinale, ku u eliminua nga Holanda.

Në mënyrë më të detajuar, qëllimi i “kuqezinjve” është që 19-vjeçari turk të mbërrijë në Milano me të njëjtën formulë huazimi si ajo e Brahim Diaz, i cili para një sezoni u rikthye te Real-i.

Duke parë skuadrën që Carlo Ancelotti ka në dispozicion për sezonin e ardhshëm është shumë e vështirë që Arda Guler të ketë gjasa për të pasur minutat e nevojshme në dispozicion dhe ka më shumë gjasa që propozimi i Milan-it të merret seriozisht në konsideratë, në mënyrë që të luajë në vazhdimësi dhe kur të vijë momenti për t’u kthyer në Spanjë të ketë më shumë përvojë.

Të paktën kështu mendojnë te Milan-i, ofertë kjo që mund të marrë lehtësisht miratimin e Carlo Ancelotti-t. Megjithatë, lojtari duhet ende të bindet, pasi ai raportohet të jetë pak ngurrues për t’u larguar nga Madridi dhe plot dyshime për aventurën e tij të mundshme në Serie A.

Kategoritë
Sport