Milanoviç: Të mos gënjejmë, Shqipëria nuk është pjesë e BE-së vetëm për shkak të paragjykimeve ndaj myslimanëve

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka shprehur mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Zagreb me presidentin Bajram Begaj, Milanoviç u shpreh se Shqipëria, paragjykohet në Perëndim si vend mysliman.

Sipas Milanoviçit, kjo është arsye se përse ende Shqipëria nuk është bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

“Dëshiroj të jap përkrahjen time të plotë dhe nuk do të humb asnjë rast për të theksuar se sa e rëndësishme është që Shqipëria të bëhet pjesë e shoqërisë evropiane sa më shpejt të jetë e mundur pasi supozoj që e vetmja arsye janë paragjykimet ndaj Ballkanit. Nuk dua të gaboj këtu, Shqipëria, teknikisht, në shumicë është një vend i banuar me qytetarë të besimit mysliman dhe jo vetëm. Kjo siç duket, në Evropën Perëndimore është bërë një problem.

Ky është fakt, këtij fakti nuk mund t’i luftojmë përveçse me fjalë. Këtë e kam thënë këtë edhe 10 vite më parë në Tiranë si kryeministër, por asgjë nuk ka ndryshuar. Nëse nuk do ndihmojmë Shqipërinë që të bëhet sa më parë pjesë e Perëndimit, do vijë dikush tjetër. Besoj se kjo është mjaft e qartë”, theksoi ai.

Kategoritë
LajmeRajoni