Miliardat e Abramoviçit: A do ta lirojë më në fund qeveria britanike paratë nga shitja e Chelseat?

Ministri i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, premtoi se do të ndërmarrë “veprime”, të cilat mund të përfshijnë edhe nisjen e një procesi gjyqësor, për të liruar 2.3 miliardë paund të mbledhura nga shitja e klubit të futbollit Chelsea.

Këto para janë të bllokuara prej më shumë se dy vitesh, që kur miliarderi rus Roman Abramoviç e shiti Chelsean.

Fondet, të cilat qeveria britanike i ka ngrirë dhe synon t’i ridrejtojë për ndihmë ndaj Ukrainës, ndodhen në një llogari bankare të një fondi të posaçëm prej dy vitesh, ndërsa negociatat mbi mënyrën e përdorimit të saktë të tyre vazhdojnë të zvarriten.

“Jam i frustruar që kjo ende nuk ka ndodhur, kjo është e vërteta – dhe këto para duhet të shpërndahen, duhet të përdoren”, tha Lammy për Financial Times gjatë një vizite në Tokio. Ai theksoi se po kalon në një “qasje të orientuar drejt veprimit” për të thyer bllokimin.

Ai vuri në dukje se “instinkti i tij i parë nuk është një proces gjyqësor” pasi ky rrugëtim “kërkon kohë”, megjithëse njerëz të njohur me çështjen pohuan se një proces gjyqësor mbetet një nga opsionet në tavolinë. Një tjetër mundësi është arritja e një marrëveshjeje me fondacionin që do të krijohet për të administruar fondet.

Edhe pse pranoi se ka “kompleksitete ligjore” rreth kësaj çështjeje, Lammy premtoi: “Jam i vendosur që këto para të lirohen dhe do të bëj gjithçka që mundem për ta mundësuar këtë”.

Qeveria britanike mban qëndrimin se fondet duhet të shpenzohen brenda Ukrainës, ndërsa fondacioni i propozuar – në të cilin është i përfshirë ish-drejtori ekzekutiv i UNICEF-it në Mbretërinë e Bashkuar, Mike Penrose – ka këmbëngulur për më shumë fleksibilitet, në mënyrë që ndihma të shkojë edhe për refugjatët që kanë lënë vendin e shkatërruar nga lufta, thanë më herët burime për Financial Times.

Në një mesazh të publikuar në faqen zyrtare të Chelseat në mars 2022 – të njëjtin muaj kur Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj tij – Abramoviç deklaroi se fondacioni do të ishte “për mirëqenien e të gjitha viktimave të luftës në Ukrainë”, duke përfshirë sigurimin e “fondeve kritike për nevojat emergjente dhe të menjëhershme të viktimave, si dhe mbështetje për procesin afatgjatë të rimëkëmbjes”.

Ndërhyrja e Lammyt vjen në një kohë kur Kievi përballet me presion të shtuar, pasi Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar të gjitha ndihmat ushtarake. Duke iu referuar “urgjencës së momentit” dhe nevojës për një angazhim më të madh në mbështetjen e Ukrainës, ai tha: “Po merrem intensivisht me këtë çështje”.

Ministri i Jashtëm gjithashtu mbështeti idenë e krijimit të një banke të re shumëpalëshe për mbrojtjen këtë javë, për të ndihmuar Britaninë dhe Evropën në financimin e zgjerimit të kapaciteteve të tyre mbrojtëse.

Ministria e Jashtme britanike deklaroi: “Kjo qeveri po punon intensivisht për të siguruar që të ardhurat nga shitja e Chelseat të ridrejtohen sa më shpejt drejt qëllimeve humanitare në Ukrainë. Fondet aktualisht janë të ngrira në një llogari bankare në Britani deri në krijimin e një fondacioni të ri të pavarur për administrimin dhe shpërndarjen e tyre”.

“Zyrtarët britanikë vazhdojnë bisedimet me përfaqësuesit e z. Abramoviç, ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë, dhe ne do të rrisim më tej përpjekjet tona për të arritur një zgjidhje,” përfundoi deklarata.

Kategoritë
Sport