Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në shpalljen e aktgjykimit në Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila është caktuar për 26 shkurt, në çështjen që zhvillohet kundër tij dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Miloš Lukić.
Spekulimet se Dodik nuk do të marrë pjesë në shpalljen e aktgjykimit ishin shfaqur edhe më herët, duke pasur parasysh se avokati i tij, Goran Bubić, kishte lënë të hapur këtë mundësi. Dodik tani ka konfirmuar se nuk do të paraqitet.
“Kam marrë vendimin. Nuk do të shkoj dhe nuk kam pse të shkoj. Askush nuk kërkon që të jem i pranishëm”, tha Dodik.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje përkrahësve të tij, të cilët për më shumë se një vit kishin ardhur para Gjykatës së BiH gjatë gjykimit të tij, që të mërkurën të mos shkojnë në Sarajevë, siç ishin mësuar. Në vend të kësaj, ai i fton ata në Banja Luka për një miting dyditor që organizohet në lidhje me këtë proces gjyqësor.
Dodik, në fakt, po përpiqet ta paraqesë këtë proces si një sulm ndaj entitetit, madje edhe ndaj popullit serb. Në këtë mënyrë, ai përpiqet të fshihet pas qytetarëve për veprimet e tij, ndërsa në këtë e ndihmojnë shumë media që janë nën ndikimin e tij editorial dhe që çdo ditë manipulojnë dhe dezinformojnë banorët për vetë gjykimin.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar hapa të shumtë në rast të një aktgjykimi fajësues, gjë që paraqet një kërcënim indirekt ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe presion ndaj trupit gjykues që merr vendimin. Ai disa herë ka paralajmëruar masa “radikale”, kthim në versionin origjinal të Marrëveshjes së Dejtonit, dalje nga kjo marrëveshje dhe, në fund, ka paralajmëruar një marrëveshje me Serbinë për krijimin e një konfederate.