Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës sot shpalli aktgjykimin e shkallës së parë ndaj presidentit të entitetit Republika Srpska (RS), Milorad Dodik, duke e dënuar atë me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të detyrave zyrtare, përkatësisht politike.
Ky është një aktgjykim i shkallës së parë, i cili për momentin nuk është i formës së prerë. Ai do të bëhet i tillë pasi mbrojtja dhe prokuroria të paraqesin ankesat e tyre dhe këshilli i shkallës së dytë i Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës të marrë vendimin përfundimtar. Pritet që aktgjykimi i shkallës së dytë të shpallet deri në fund të këtij viti.
Nëse edhe aktgjykimi përfundimtar mbetet si ai i shkallës së parë, kjo do të thotë se Dodik nuk do të mund të ushtrojë asnjë funksion zyrtar apo politik për gjashtë vitet e ardhshme. Sa i përket dënimit me burg, duke qenë se është dënuar me një vit, ai, sipas ligjit në fuqi, do të ketë mundësinë ta shlyejë atë me pagesë prej rreth 36.000 KM.
Sa i përket drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Srpska, Miloš Lukić, ai është shpallur i pafajshëm.
Për çfarë u dënua Dodik?
Kuvendi Popullor i RS-së miratoi në vitin 2023 një ligj sipas të cilit vendimet e përfaqësuesit të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të RS-së dhe nuk do të zbatoheshin në atë entitet. Menjëherë pas kësaj, përfaqësuesi i lartë e anuloi këtë ligj, por Milorad Dodik e injoroi atë dhe nënshkroi dekretin për shpalljen e ligjit.
Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë ndryshoi edhe Kodin Penal të Bosnje dhe Hercegovinës, duke përcaktuar se moszbatimi i vendimeve të tij përbën vepër penale. Duke qenë se Dodik injoroi të gjitha këto, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj tij dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Miloš Lukić.