Ministrat e energjisë të BE-së arrijnë marrëveshje për masat për të trajtuar krizën energjetike

“Ne arritëm të gjejmë një drejtim të qartë për masat që duhen marrë” për të trajtuar krizën e rritjes së çmimeve, u tha gazetarëve Jozef Sikela, ministri çek i Transportit dhe Industrisë

Ministrat e energjisë të BE-së ranë dakord për masat për të trajtuar krizën energjetike dhe mandatuan Komisionin e BE-së të paraqesë një draft ligjor për taksimin e prodhuesve të energjisë elektrike dhe kufizimin e çmimeve të gazit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne arritëm të gjejmë një drejtim të qartë për masat që duhen marrë” për të trajtuar krizën e rritjes së çmimeve, u tha gazetarëve Jozef Sikela, ministri çek i Transportit dhe Industrisë, pas takimit urgjent të ministrave të BE-së përgjegjës për energjinë.

Ministrat ftuan Komisionin Evropian të paraqesë një propozim ligjor bazuar në draftin fillestar që organi ekzekutiv i BE-së e zbuloi më herët gjatë javës.

Ministrat shprehën mbështetje për planet për “kufizimin e të ardhurave të prodhuesve të energjisë elektrike me kosto të ulëta prodhimi dhe inkuadrimin e kontributit solidar nga kompanitë e karburanteve fosile, që do të përdoret për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të energjisë tek klientët”, tha Sikela.

Qeveritë e BE-së presin gjithashtu që Komisioni Evropian të propozojë ndërhyrje emergjente dhe të përkohshme në tregun e energjisë që përfshin kufizimin e çmimeve të gazit dhe ofrimin e mbështetjes së likuiditetit për kompanitë e shërbimeve.

Organi ekzekutiv i BE-së gjithashtu duhet të paraqesë masa për reduktimin e kërkesës për energji elektrike në të gjithë BE-në.

Sikela shpreson që Komisioni Evropian dhe vendet e BE-së të mund të gjejnë një marrëveshje në mënyrë që ai të mund të thërrasë një tjetër takim urgjent të ministrave të energjisë të BE-së për të miratuar zyrtarisht vendimin para fundit të shtatorit.

Kategoritë
BotaLajme