Ministrat e Financave të grupit G7 miratojnë planin për zbatimin e çmimit maksimal për naftën ruse

Ministrat e Financave të grupit të përbërë nga SHBA, Gjermania, Britania, Kanadaja, Franca, Italia dhe Japonia kanë bërë një deklaratë të përbashkët pas një takimi të mbajtur në Gjermani

Ministrat e Financave të vendeve të grupit G7 njoftuan se kanë miratuar planin për zbatimin e çmimit maksimal ndaj naftës ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e Financave të grupit të përbërë nga SHBA, Gjermania, Britania, Kanadaja, Franca, Italia dhe Japonia kanë bërë një deklaratë të përbashkët pas një takimi të mbajtur në Gjermani.

Takimi u mbajt për të diskutuar reagimin e përbashkët kundër luftës Rusi-Ukrainë dhe ndikimet e kësaj mbi ekonominë globale, thuhet në deklaratën e përbashkët ku theksohet se G7 është e vendosur të sigurojë mbështetje për Ukrainën.

Më tej në deklaratë njoftohet se janë respektuar vendimet e marra në Samitin e Liderëve të G7 që u mbajt në qershor dhe se në këtë drejtim është miratuar plani për të zbatuar çmim maksimal për naftën bruto dhe produktet e naftës me origjinë ruse.

Në këtë mënyrë synohet që të pakësohen të ardhurat e Rusisë dhe aftësia e saj për të financuar luftën në Ukrainë, njoftohet në deklaratën ku nënvizohet se vendet “synojnë ta bëjnë të përshtatshme këtë praktikë me afatin kohor të masave lidhur me pakon e gjashtë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”.

Po ashtu bëhet e ditur se niveli i çmimit maksimal ndaj produkteve të naftës ruse do të rishikohet sërish kur të jetë e nevojshme.

Kategoritë
BotaLajme