Ministrat e Jashtëm të BE-së dritë jeshile pezullimit të marrëveshjes së vizave me Rusinë

Shtetet anëtare do të vazhdojnë të përpunojnë kërkesat individuale për viza pasi “ne nuk duam të shkëputemi nga njerëzit që kundërshtojnë luftën në Ukrainë, nuk duam të shkëputemi nga shoqëria civile ruse”, tha Borrell

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) arritën marrëveshje politike për pezullimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave BE-Rusi, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për shtyp pas një takimi jozyrtar të diplomatëve të lartë të BE-së në kryeqytetin çek Pragë, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell njoftoi se ministrat dhanë dritën jeshile për “pezullimin e plotë” të marrëveshjes së vizave me Rusinë.

Masa do të “zvogëlojë ndjeshëm numrin e vizave të reja të lëshuara nga vendet anëtare të BE-së” për të parandaluar rusët të “udhëtojnë për shëtitje dhe shoping sikur të mos kishte luftë në Ukrainë”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, shtetet anëtare do të vazhdojnë të përpunojnë kërkesat individuale për viza pasi “ne nuk duam të shkëputemi nga njerëzit që kundërshtojnë luftën në Ukrainë, nuk duam të shkëputemi nga shoqëria civile ruse”, tha Borrell.

Ai shpjegoi gjithashtu se shtetet anëtare të BE-së lejohen të marrin masa kombëtare, të tilla si kufizimi i numrit të vizave të lëshuara ose kufizimi i kalimeve kufitare, për sa kohë që ato respektojnë ligjin e BE-së.

Kryediplomatët i bënë gjithashtu thirrje Komisionit Evropian të punojë mbi udhëzimet se si të trajtohet në nivel të BE-së problemi i vizave tashmë të lëshuara që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë.

Ministrat ranë dakord gjithashtu të mos njohin pasaportat ruse të lëshuara në territoret e okupuara të Ukrainës, shtoi Borrell.

Marrëveshja politike për pezullimin e marrëveshjes së vizave u jep fund diskutimeve për një ndalim të plotë të vizave turistike në mbarë BE-në i propozuar fillimisht nga fqinjët më të vegjël baltikë të Rusisë, Estonia dhe Letonia, si dhe Finlanda, por i kundërshtuar nga Gjermania dhe Franca.

Pezullimi i plotë i marrëveshjes së vizave vjen pasi BE-ja e ndërpreu pjesërisht marrëveshjen në shkurt, duke synuar kryesisht zyrtarë qeveritarë, diplomatë dhe biznesmenë.

Meqenëse takimi në Pragë ishte joformal, marrëveshja politike e ministrave ende nuk është kthyer në një marrëveshje ligjore detyruese ose zyrtare.

Kategoritë
BotaLajme