Ministrat e OBI-së mblidhen në Istanbul për një takim mbi islamofobinë dhe dezinformimin

Organizata shumëkombëshe në një deklaratë njoftoi se gjatë aktivitetit dyditor, ministrat e OBI-së do të diskutojnë “luftën kundër dezinformimit dhe islamofobisë në epokën e post-të vërtetës”

ISTANBUL (AA) – Ministrat e Informacionit të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) janë mbledhur në Istanbul me synimin për të rritur përpjekjet kundër dezinformimit dhe islamofobisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Organizata shumëkombëshe në një deklaratë njoftoi se gjatë aktivitetit dyditor, ministrat e OBI-së do të diskutojnë “luftën kundër dezinformimit dhe islamofobisë në epokën e post-të vërtetës”.

“Bota islame po përballet me sfida që kërkojnë përgjegjësi për të paraqitur mesazhin e tij në një mënyrë të menduar”, tha një zyrtar i OBI-së në takimin përgatitor të konferencës.

Hissein Brahim Taha, sekretari i përgjithshëm i OBI-së, do të flasë në seancën hapëse të konferencës të shtunën, ku pritet të fokusohet në rolin e organit më të madh musliman në shpërndarjen e informacionit.

Në deklaratë thuhet se konferenca pritet të trajtojë rëndësinë e intensifikimit të veprimit mediatik për çështjen e Palestinës dhe Kudsit, duke theksuar çështjet e vendeve anëtare afrikane të OBI-së, rolin e OBI-së në luftimin e islamofobisë, portretizimin e tablosë së saktë të Islamit dhe shmangien e ekstremizmit dhe terrorizmit në qarqet mediatike.

Ngjarja gjithashtu do të fokusohet mbi çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekspertizës dhe trajnimit mediatik në botën muslimane.

Kategoritë
BotaLajme