Ministrat izraelitë të entuziazmuar nga plani i Trumpit për Gazën: Mëngjes historik për Izraelin

Pas takimit mes Donald Trumpit dhe Benjamin Netanyahut në Uashington, ministrat e qeverisë izraelite shprehën entuziazmin e tyre për deklaratat e Trumpit në lidhje me Rripin e Gazës.

Këto komente vijnë pasi Trump deklaroi se dëshiron që Shtetet e Bashkuara të Amerikës “të marrin nën kontroll” dhe “të zotërojnë” Rripin e Gazës, duke bërë thirrje gjithashtu për zhvendosjen e të gjithë popullsisë së enklavës palestineze.

“Ky është rezultati kur takohen dy liderë të guximshëm,” tha ministrja e transportit, Miri Regev.

Ministri i energjisë, Eli Cohen, e quajti këtë “një mëngjes historik për shtetin e Izraelit, Lindjen e Mesme dhe botën.”

Kryetari i Knessetit, Amir Ohana, e përshkroi si “agimin e një dite të re.”

“Ne kemi një kryeministër të shkëlqyer dhe një president amerikan të jashtëzakonshëm! Falë Zotit për këtë mrekulli që ka bërë për popullin izraelit,” shkroi ministri izraelit i kulturës dhe sportit, Miki Zohar.

Ministri i financave, Bezalel Smotrich, deklaroi: “Së bashku do ta bëjmë botën sërish të madhe.”

Deputeti izraelit i ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir, bëri thirrje që kryeministri Benjamin Netanyahu të miratojë planin për dëbimin e palestinezëve nga Gaza, pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se ai nuk e sheh një të ardhme të qëndrueshme për ta në atë zonë.

Kreu i partisë “Fuqia Hebraike”, Itamar Ben Gvir, i cili muajin e kaluar dha dorëheqjen nga posti i ministrit të sigurisë kombëtare në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së armëpushimit në Gaza dhe lirimit të të burgosurve, deklaroi gjithashtu se komentet e Trumpit konfirmojnë qëndrimin që ai ka mbajtur gjatë luftës.

“E vetmja zgjidhje për Gazën është nxitja e migrimit të palestinezëve. Tani është e qartë: kjo është e vetmja zgjidhje për problemin e Gazës – kjo është strategjia për ‘ditën pas.’ I bëj thirrje kryeministrit që të shpallë miratimin e planit sa më shpejt dhe ta avancojë atë menjëherë në mënyrë praktike,” tha Ben Gvir.

Kategoritë
BotaLajme