Ministri gjerman i Mbrojtjes: Türkiye është bërë një aktor i rëndësishëm në Siri

“Pas tërheqjes së Iranit dhe Rusisë nga Siria, Türkiye si një shtet i NATO-s në rajon u bë një aktor shumë më i rëndësishëm”, tha ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius tha se pas rënies së regjimit Baath, Türkiye është bërë një aktor shumë më i rëndësishëm në Siri, raporton Anadolu.

Pistorius në kuadër të vizitës së tij në Irak, pas takimit të tij me kryeministrin e Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut (ARK), Nechirvan Barzani në Erbil, bëri deklarata në lidhje me rajonin.

Duke rikujtuar se në luftën kundër organizatës terroriste DEASH i japin mbështetje Irakut, ai tha se do të vazhdojnë të mbështesin Irakun dhe ARK-së kundër DEASH-it.

“Pas tërheqjes së Iranit dhe Rusisë nga Siria, Türkiye si një shtet i NATO-s në rajon u bë një aktor shumë më i rëndësishëm. Do të bisedoj me zyrtarët turq për këtë temë (Sirinë)”, tha Pistorius për zhvillimet në Siri.

Në deklaratën me shkrim të Kryesisë së ARK-së lidhur me takimin mes Barzanit dhe Pistoriusit, thuhet se palët kanë biseduar për zhvillimet e fundit në Siri, efektet e mundshme në misionin e koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it, situatën e përgjithshme në Irak dhe marrëdhëniet e Gjermanisë me Irakun dhe ARK-në.

Më tej në deklaratë theksohet se Barzani ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e saj ndaj Irakut dhe ARK-së, ndërsa Pistorius ka shprehur angazhimin e vendit të tij për ndihmën ndaj Irakut dhe ARK-së.

Gjermania vendosi të zgjaste mandatin e ushtarëve të saj që shërbejnë në Irak në kuadër të luftës kundër organizatës terroriste DEASH deri më 31 janar 2026. Sipas vendimit, numri i ushtarëve është kufizuar në maksimum 500.

Kategoritë
BotaLajme