Ministri gjerman kundër kufizimit të shpejtësisë në autostrada, ja pse

Vitet e fundit ka pasur kërkesa gjithnjë e më të zhurmshme për të ulur më tej shpejtësinë maksimale të lejuar, por edhe për të vendosur një kufizim shpejtësie në seksione të caktuara të autobahnit gjerman.

Në fillim arsyeja ishte siguria në komunikacion, e më pas me rritjen e çmimit të energjisë, arsyeja kryesore ishte dëshira për të ulur konsumin, qoftë lëndë djegëse fosile, energji elektrike apo gaz. Përveç një pjese të koalicionit qeverisës, promovimit të kufizimeve iu bashkuan edhe disa njerëz të famshëm, përfshirë pilotin e F1, Sebastian Vettel.

Ministri gjerman i Transportit Volker Wissing tani ka hedhur poshtë çdo sugjerim se kufizimi mund të futet së shpejti.

“Stili i drejtimit është përgjegjësi personale e qytetarëve, për sa kohë që të tjerët nuk janë të rrezikuar. Shteti duhet të përmbahet nga kjo,” tha Wissing për mediat gjermane. “Çmimet e larta të energjisë tashmë po bëjnë që shumë njerëz të ngasin më ngadalë. Dhe me makinat elektronike, njerëzit nuk do të ngasin aq shpejt sepse duan të kursejnë energjinë në bateritë e tyre.”

Në të njëjtën kohë, Wissing thekson se trafiku në Gjermani po rritet nga viti në vit, dhe do të vazhdojë të rritet në të ardhmen, kryesisht për shkak se sistemet e tjera të transportit si hekurudhat nuk kanë marrë përsipër nevojat e transportit. “Edhe nëse jo të gjithëve u pëlqen: do të ketë më shumë trafik në rrugët gjermane dhe ne duhet të përballemi me të. Përndryshe, ekonomia së shpejti do të ndalet dhe do të humbasim vendet e punës”, përfundon Wissing.

Kategoritë
BotaLajme