Ministri hungarez: Suedia duhet të veprojë ndryshe që t’i bashkohet NATO-s

Qeveria suedeze duhet të “veprojë ndryshe” nëse dëshiron që të marrë mbështetjen e Turqisë për anëtarësim në NATO, tha ministri i Jashtëm i Hungarisë.

Kryediplomati hungarez, Peter Szijjarto, shtoi se protesta para Ambasadës turke në Stokholm, ku u dogj një kopje e Kuranit, ishte veprim “i papranueshëm”.

Szijjarto i bëri këto deklarata gjatë një konference për media pas takimit me homologun e tij turk, Mevlut Cavugoslu, në Budapest. Dy diplomatët folën për protestën antiturke të 21 janarit, dhe vlerësuan se ajo kishte rritur tensionet mes Ankarasë dhe Stokholmit në kohën kur Suedia po kërkon miratimin nga Parlamenti turk për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, shkruan REL.

“Si i krishterë dhe si katolik, më duhet të them se djegia e librit të shenjtë të një feje tjetër është një akt i papranueshëm”, tha Szijjarto, dhe kritikoi deklaratat e kryeministrit suedez që tha se përderisa djegia e Kuranit ishte veprim i papërshtatshëm dhe “thellësisht ofenduese”, protesta ishte në kuadër të mbrojtjes së lirisë së shprehjes në Suedi.

 

Kategoritë
BotaLajme