Ministri i Jashtëm i EBA-së arrin për vizitën e parë zyrtare në Izrael

Vizita përkon me dyvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis EBA-së dhe Izraelit

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Abdullah bin Zayed, mbërriti në Tel Aviv sot për një vizitë zyrtare në Izrael, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bin Zayed është duke udhëhequr një delegacion të nivelit të lartë gjatë vizitës së tij disaditore, e cila përkon me dyvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis EBA-së dhe Izraelit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve WAM.

Ai pritet të zhvillojë bisedime me zyrtarët izraelitë për të diskutuar një sërë çështjesh me interes të përbashkët dhe horizontet e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Në shtator 2020, EBA-ja dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të normalizuar marrëdhëniet e tyre. Që atëherë, dy vendet kanë shkëmbyer vizita nga zyrtarë të lartë dhe kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje dypalëshe në fusha të ndryshme, duke përfshirë investimet, shërbimet bankare dhe turizmin.

Tre shtete të tjera arabe – Bahreini, Maroku dhe Sudani – iu bashkuan Emirateve të Bashkuara Arabe në hapin e diskutueshëm që u bë i njohur si Marrëveshja e Abrahamit.

Kategoritë
BotaLajme