Ministri i Jashtëm portugez vizitë në Shqipëri

Pas takimit, Xhaçka dhe Cravinho mbajtën një deklaratë të përbashkët, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka pritur sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Portugalisë, Joao Gomes Cravinho, ku pas takimit mbajtën një deklaratë të përbashkët, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

– Xhaçka: Alternativa jonë e vetme ka qenë dhe mbetet Bashkimi Evropian

Ministrja Xhaçka theksoi se gjatë takimit me homologun portugez ka diskutuar mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve, mbi rrugët e intensifikimit të dialogut politik dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Ajo tha se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian përbën një moment historik nё marrëdhëniet me BE-në, ku sipas saj Shqipëria u mbështet pa rezerva edhe nga Portugalia.

“Vendosmëria jonë për të mbërritur në konferencën e parë ndërqeveritare ishte e fortë, sepse alternativa jonë e vetme ka qenë dhe mbetet Bashkimi Evropian. Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare nënkupton se BE-ja dhe vendet anëtare të saj, përfshirë Portugalinë, kanë miratuar punën dhe arritjet e qeverisë shqiptare në fushën politike dhe në përmbushjen e kritereve, si reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane”, tha Xhaçka.

Ajo tha se e vlerësojnë angazhimin dhe mbështetjen e Portugalisë për vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas saj në veçanti vizionin realist që Portugalia ka ndaj rajonit.

– Cravinho: Jam besimplotë që procesi i integrimit evropian të Shqipërisë do të jetë i suksesshëm

Kryediplomati portugez, Cravinho, u shpreh se është besimplotë që procesi i integrimit evropian të Shqipërisë do të jetë i suksesshëm.

Duke iu referuar procesit të integrimit evropian, ai tha se janë të disponueshëm që të ofrojnë mbështetje teknike, kurdo që Shqipëria mendon që mbështetja jonë do të nevojitet.

“Shqipëria ka vite që është vend kandidat (për në BE), 8 vite. Tani ka ardhur momenti që janë hapur negociatat. Besojmë që do të ketë një periudhë intensive dialogu, pune dhe shkëmbimesh, ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Portugalia është shumë mbështetëse për këtë proces pranimi dhe mezi presim që Shqipëria të bëhet në të ardhmen anëtare e plotë e familjes evropiane”, tha Cravinho.

Ai theksoi se me Shqipërinë kanë miqësi të fortë dhe shtoi se “jemi të dy vende aleate në NATO, jemi gjithashtu edhe në kontekstin e Bashkimit Evropian”.

Cravinho u shpreh se me homologen Xhaçka kanë diskutuar edhe për mundësinë e rritjes së ndërveprimeve të institucioneve arsimore.

Kategoritë
LajmeRajoni