Ministri izraelit i Mbrojtjes: Turqia, një aktor global me të cilën mund të zhvillojmë marrëdhëniet tona

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Gantz tha se vendi i tij e sheh Türkiye-n si një aktor global me të cilin mund të zhvillojë marrëdhëniet në fushën ekonomike, të mbrojtjes dhe sigurimin e stabilitetit të të gjithë rajonit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz tha se vendi i tij e sheh Türkiye-n si një aktor global me të cilin mund të zhvillojë marrëdhëniet në fushën ekonomike, të mbrojtjes dhe sigurimin e stabilitetit të të gjithë rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas vizitës së tij në Türkiye, Gantz bëri deklarata për gazetarët turq në aeroportin Esenboğa në Ankara.

Sipas tij, Türkiye dhe Izraeli kanë kaluar përmes shumë sprovave lidhur me sigurinë. “Marrëdhëniet tona që kemi rivendosur në fushën e mbrojtjes do të sigurojnë kontribut për stabilitetin dhe sigurinë e Lindjes së Mesme me efektin pozitiv të paraqitur edhe në Marrëveshjen e Abrahamit”, tha Gantz.

“Falënderoj presidentin Erdoğan, ministrin (e Mbrojtjes Hulusi) Akar dhe forcat e sigurisë për bashkëpunimet e tyre që kanë shpëtuar jetë për komunitetin hebre dhe shtetasit izraelitë që ndodhen nën kërcënimin terrorist”, tha Gantz i cili shtoi se të dy vendet synojnë të ruajnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në rajon dhe se lufta kundër terrorizmit kërkon bashkëpunim.

Gantz tha se ka udhëzuar ekipin e tij për të mbajtur të hapur kanalet e dialogut dhe vazhdimin e marrëdhënieve në mënyrë të qëndrueshme. “Izraeli e sheh Türkiye-n si një aktor global me të cilin mund të zhvillojmë marrëdhëniet tona në fushën ekonomike, të mbrojtjes dhe sigurimin e stabilitetit të të gjithë rajonit”, deklaroi Gantz.

“Vizitën time në Greqi e kam anuluar plotësisht për arsye teknike dhe të sigurisë”

Në fund të takimit, Gantz iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe shpjegoi deklaratat që kishte përdorur më parë se marrëdhëniet e dy vendeve u janë nënshtruar testimeve të ndryshme.

“Marrëdhëniet Izrael-Türkiye edhe pse kanë qenë të këqija në 10 vitet e fundit, ato janë aktive”, theksoi Gantz duke bërë të ditur se mosmarrëveshjet kryesisht janë shënuar në çështjen e Palestinës.

“Ende të dy vendet mendojnë ndryshe. Izraeli ka shqetësime lidhur me çështjen e sigurisë së tij. E kuptojmë që palestinezët duan të marrin ndihmë dhe mbështetje ekonomike dhe humanitare. Rrugën për të mbyllur këto ndryshime do ta gjejmë teksa zhvillojmë marrëdhëniet tona”, tha Gantz.

Në pyetjen nëse do të bëhen apo jo bashkëpunime në fushën e industrisë së mbrojtjes mes dy vendeve, Gantz tha: “Takimi i parë në këtë nivel në fushën e industrisë mes dy vendeve hapi dyert dhe na tregoi rrugën për bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen. Nuk biseduam mbi ndonjë projekt por do të bisedohet në kuadrin e bashkëpunimeve të ardhshme”.

Ndërsa në pyetjen për efektet e zgjedhjeve të ardhshme në vendin e tij në marrëdhëniet mes dy vendeve, Gantz u përgjigj “Shpresoj që për një kohë këto të jenë zgjedhjet e fundit dhe që të formohet një qeveri e qëndrueshme. Për mendimin tim pavarësisht se cila qeveri do të jetë, sprovat dhe interesat tona dypalëshe do të mbeten të njëjtë. Shpresoj që lidhjet tona t’i forcojmë sa më shumë të jetë e mundur”.

Lidhur me shtyrjen e vizitës së tij në Greqi, Gantz deklaroi: “Vizitën time e kam anuluar plotësisht për arsye teknike dhe të sigurisë”.

“Për çështjen kam informuar homologun tim grek dhe e ka mirëkuptuar”, nënvizoi Gantz duke shtuar se dëshiron që Türkiye dhe Greqia për stabilitetin të gjejnë zgjidhje përmes dialogut ndaj problemeve.

Në përgjigje të pyetjes lidhur me pretendimet për eksportimin e sistemit të mbrojtjes “Kubeja e Hekurt” për Qipron Greke, Gantz tha se “Këtë çështje nuk e kemi biseduar ende. Do ta shohim në të ardhmen. Nuk do të hyj në detaje lidhur me projekte të ndryshme që zhvillojmë në një vend tjetër”.

Duke folur edhe për pretendimet se Türkiye ka kërkuar nga Izraeli aktivitete lobimi për dhënien e avionëve F-35, Gantz potencoi se “Kjo është një çështje dypalëshe mes SHBA-së dhe Türkiye-s”.

Kategoritë
BotaLajme