Ministri izraelit i Mbrojtjes urdhëron ushtrinë të përgatisë një plan për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza

I frymëzuar nga vizioni i presidentit amerikan Donald Trump për dëbimin e palestinezëve, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka urdhëruar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të përgatisin një plan që do t’u mundësojë banorëve të Gazës të largohen “vullnetarisht” nga Rripi i Gazës, njofton zyra e Katzit.

Sipas deklaratës, Katz ka përshëndetur “planin e guximshëm” të Trumpit, i cili mund të krijojë mundësinë që një pjesë e madhe e popullsisë në Gaza të largohet drejt vendeve të ndryshme të botës.

“Hamasi ka përdorur banorët e Gazës si mburojë të gjallë dhe ka ndërtuar një infrastrukturë terroriste në zemër të popullsisë. Tani ata i mbajnë peng, duke u marrë para përmes ndihmës humanitare dhe duke i penguar të largohen nga Gaza,” tha Katz.

Ai deklaroi se ka urdhëruar ushtrinë të përgatisë një plan ku çdo banor që dëshiron, mund të emigrojë në cilindo vend që është i gatshëm t’i pranojë.

Katz përmendi posaçërisht vende si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe të tjera që kanë bërë “akuza të rreme” në lidhje me luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza, duke theksuar se nëse këto shtete refuzojnë të pranojnë palestinezët, “hipokrizia e tyre do të zbulohet.”

Ai gjithashtu përmendi Kanadanë, e cila ka një “program të organizuar emigracioni” dhe më parë ka shprehur gatishmërinë për të pranuar banorë nga Gaza.

Plani do të përfshinte daljen përmes pikave tokësore të kalimit, si dhe “rregullime të veçanta” për largimin përmes rrugëve detare dhe ajrore.

“Banorëve të Gazës duhet t’u lejohet liria për të dalë dhe për të emigruar, ashtu siç është praktika kudo në botë,” tha Katz, duke shtuar se plani i Trumpit mund të ndihmojë në avancimin e “projekteve të rindërtimit në një Gaza të çmilitarizuar, që nuk përbën më kërcënim në epokën pas Hamasit, proces ky që do të zgjasë për shumë vite.”

Kategoritë
BotaLajme