Ministri kosovar Mehaj pritet me nderime të larta ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes së Finlandës

Mehaj është pritur me nderime të larta ushtarake ndërsa më pas dy ministrat kanë zhvilluar takim ku është diskutuar situate aktuale gjeopolitike

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, bashkë me delegacionin në përbërje prej gjeneral Gëzim Hazrolli, gjeneral Irfete Spahiu, si dhe këshilltares politike, Liridona Gashi, po qëndron për vizitë zyrtare në Finlandë, me ftesë të homologut të tij, ministrit të Mbrojtjes të Finlandës, Antti Kaikkonen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, Mehaj është pritur me nderime të larta ushtarake ndërsa më pas dy ministrat kanë zhvilluar takim ku është diskutuar situate aktuale gjeopolitike, ndikimi që ka agresioni rus në Ukrainë, vendimi i Finlandës për të aplikuar në NATO, si dhe rëndësia e zgjerimit të kësaj aleance me qëllim garantimin e stabilitetit dhe paqes.

“Dy ministrat diskutuan edhe për fushat në të cilat do të bashkëpunojnë në të ardhmen, me theks të veçantë në arsimimin dhe stërvitjen e kuadrove të reja të ushtarakëve, si dhe realizimin e ushtrimeve të përbashkëta dimërore”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, ministri Mehaj po ashtu informoi ministrin Kaikkonen edhe për kapacitetet e Ushtrisë së Kosovës, arritjet dhe gatishmërinë për të ndarë me Ushtrinë Finlandeze përvojën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.

Ministri Kaikkonen shprehu edhe njëherë gatishmërinë e tij për të rritur prezencën e trupave finlandeze në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe po ashtu për të intensifikuar bashkëpunimin edhe në fusha tjera.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi