Ministri kroat Grliq Radman: Viktimat e Jasenovacit janë mjet i Vuçiqit, jo qëllim i tij

“Një vizitë e tillë nuk është e sinqertë, nuk është një nderim për viktimat, por është e motivuar nga nevojat e brendshme politike brenda Serbisë përpara formimit të qeverisë”, tha ministri i Jashtëm kroat, Radman.

Qeveria e Kroacisë ka ndaluar hyrjen e presidentit të Serbisë në Kroaci për të vizituar Jasenovacin për shkak të anashkalimit të protokolleve standarde diplomatike nga pala serbe, tha ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman.

Me rastin e njoftimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për vizitën e tij në zonën përkujtimore Jasenovac dhe Pakrac, ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Grliq Radman mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane (MVEP).

Ministri Grliq Radman tha se MVEP-ja mësoi jozyrtarisht, përmes kanaleve jo standarde të komunikimit diplomatik se presidenti Vuçiq synon të vizitojë sot Jasenovacin dhe Pakracin, gjë që ai e quajti të papranueshme.

Ai përmendi një pjesë të notës diplomatike që i është dorëzuar Ambasadës së Serbisë në Zagreb të premten, në të cilën theksohet se çdo vizitë e zyrtarëve të huaj duhet të njoftohet përmes kanaleve zyrtare dhe se ajo nga pala kroate është “e papranueshme dhe e konceptuar keq” për të anashkaluar protokollin zyrtar të presidentit serb Vuçiq.

“Një vizitë e tillë nuk është e sinqertë, nuk është një nderim për viktimat, por është e motivuar nga nevojat e brendshme politike brenda Serbisë përpara formimit të qeverisë”, tha ministri kroat.

Ai theksoi se Qeveria e Kroacisë, përkundër provokimeve të tilla, vazhdon të avokojë për normalizimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira me Serbinë.

“Viktimat këtu janë mjet, jo qëllim”, tha Grliq Radman dhe shtoi: “Serbia ende nuk është përballur me të kaluarën, edhe 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Atdheut”.

E ngarkuara me punë në Ambasadën kroate në Serbi ishte ftuar sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë për t’i dorëzuar një notë diplomatike për këtë temë, por ajo nuk pranoi ta marrë notën, tha Grliq Radman.

Pas ndalimit të vendosur nga Kroacia ndaj presidentit serb Vuçiq, ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin njoftoi se nga sot zyrtarisht do të vendosen masa të posaçme për hyrjen e zyrtarëve kroatë në Serbi.

Kategoritë
LajmeRajoni