Ministri Osmani e vlerëson si të suksesshëm Forumin e Prespës për Dialog

“Jam veçanërisht i nderuar që në hapjen zyrtare të Forumit të Prespës për Dialog me titullin ‘Çfarë pas luftës në Ukrainë?’ mirënjohjen e sivjetme i kemi dhënë popullit trim ukrainas”, tha mes tjerash kryediplomati i Maqedonisë së Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në konferencën e fundit për media në Forumin e Prespës për Dialog (FPD) e vlerësoi këtë ngjarje si të suksesshme dhe shumë të dobishme, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Osmani theksoi se FPD, që u zhvillua dje dhe sot, është duke u afirmuar si një markë e njohur që nxit kulturën e bashkëpunimit, besimit të ndërsjellë dhe miqësisë në ndërtimin e stabilitetit rajonal.

Osmani theksoi se vitin e kaluar, me Forumin e parë të Prespës për Dialog, vendi organizoi për herë të parë një konferencë ndërkombëtare të bazuar në narrativën e dialogut dhe zgjidhjen diplomatike të çështjeve të hapura dypalëshe.

“Jam veçanërisht i kënaqur që me organizimin e suksesshëm të edicionit të dytë të këtij evenimenti ndërkombëtar, Ministria e Punëve të Jashtme ka arritur të promovojë Forumin e Prespës për Dialog si një platformë autentike për shkëmbimin e pikëpamjeve, përvojave dhe ideve për sfidat dhe kërcënimet bashkëkohore dhe ato të ardhshme”, tha Osmani.

Ai tha se gjatë forumit, opinioni pati mundësinë të dëgjojë diskutime shumë interesante, mbresëlënëse dhe cilësore që mbuluan çështjet më të vështira të fushave të sigurisë, politikës dhe ekonomisë me të cilat përballet sot Evropa dhe Ballkani Perëndimor si rezultat i realitetit të ri gjeopolitik të shkaktuar nga lufta ne Ukrainë.

“Jam veçanërisht i nderuar që në hapjen zyrtare të Forumit të Prespës për Dialog me titullin ‘Çfarë pas luftës në Ukrainë?’ mirënjohjen e sivjetme i kemi dhënë popullit trim ukrainas për luftën e tyre për liri dhe demokraci. Duke treguar vullnet të palëkundur, ukrainasit mbrojnë jo vetëm lirinë e tyre, por edhe vlerat tona të përbashkëta”, tha Osmani.

Ai shtoi se askush nuk është më meritor për këtë mirënjohje në këtë moment dhe se kjo mirënjohje ishte “shprehja jonë modeste e mbështetjes” për popullin ukrainas.

Osmani gjithashtu shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e presidentëve të vendeve të rajonit, përfaqësuesve të lartë të organizatave ndërkombëtare, si dhe kryeministrave dhe ministrave të jashtëm nga vende të shumta.

Ai falënderoi për bashkëpunimin në realizimin e forumit Zyrën e Presidentit të Shtetit, nën kujdestarinë e të cilit u organizua forumi i sivjetmë, si dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Tema e forumit të këtij viti ishte “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë”, me synim që të pasqyrojë sfidat aktuale të politikës së jashtme dhe kërcënimet bashkëkohore të sigurisë.

Përveç seancës kryesore me titull “Çfarë pas luftës në Ukrainë?”, gjatë së cilës video-adresim kishte edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, temat e tjera për të cilat u diskutuara në forum kishin të bënin me ndërtimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt, forcimin e partneriteteve strategjike, bashkëpunimin ekonomik dhe të tjera.

Kategoritë
LajmeVendi